Në videomesazhin e kësaj jave kushtuar temës së arsimit, kryebashkiaku Erion Veliaj përmendi me fakte punën e bërë edhe për transformimin e godinave studentore në Tiranë.
“Përkushtimi i Bashkisë së Tiranës nuk ka munguar as për studentët e Tiranës, si ata që janë rezidentë, pra ‘le e rrit në Tiranë’, siç themi ne, apo edhe ata që vijnë nga qytete të tjera, ku ne nuk i shohim si ardhacakë, nuk i paragjykojmë dhe bullizojmë, përkundrazi jemi krenarë që ata vijnë për të pasuruar Tiranën tonë me talentin e tyre, për të krijuar familje këu. Për ta ne kemi ndërtuar 13 godina të reja konviktesh. Janë rehabilituar 16 nga konviktet ekzistuese,” theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se Karta e Studentit është një premtim i mbajtur: “Karta e Studentit sot ofron 2,200 shërbime falas dhe çmime të reduktuara për 65,000 studentë. Disa janë publike, disa janë private, por të gjitha japin një kontribut. Me krizën e inflacionit dhe të energjisë, që erdhi si rrjedhojë e luftës së Putinit, përmes Kartës së Studentit ne japim abonenë falas në të gjithë qytetin e Tiranës dhe heqim 50% të kostos së konvikteve,” deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku veçoi Piramidën si investimin më të madh për dijen. “Unë mezi pres që në Pranverë të përurojmë Piramidën. Piramida do të jetë qendra më e madhe, një lloj shkolle, një lloj pallati i studentëve, i të rinjve, i nxënësve, për teknologjinë e informacionit dhe inovacionin, ndoshta më e madhja në gjithë rajonin tonë,” u shpreh ai.
Veliaj përmendi edhe investime të tjera, si ai i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Teatrit të ri të Kukullave, apo Bibliotekës së re Kombëtare, duke e mbyllur fjalën e tij me bindjen se “Tirana, ditët më të ndritura dhe për arsimin dhe edukimin i ka përpara”.
Ai i quajti mësuesit udhërrëfyes të palodhur drejt dijes, sepse në duart e tyre është e ardhmja e fëmijëve tanë. “Dua t’iu shpreh mirënjohjen time të gjithë mësuesve të Tiranës dhe t’i siguroj mbështetjen time në vijimësi. Mësimdhënia nuk është një punë e lehtë, sidomos në këto vitet e fundit, ku sfidat me të cilat jeni përballur, kanë qenë të jashtëzakonshme. Me gjithë vështirësitë, mësuesit tanë kanë treguar përkushtim edhe përgjegjësi ndaj profesionit të mësuesit. Ndaj, unë jam krenar që Bashkia e Tiranës ka qenë në krah të tyre edhe në këtë rrugëtim”, nënvizoi Veliaj.