Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi thotë se Enkelejd Alibeaj nuk regjistrohet dot në zgjedhjet e 14 majit, edhe pas vendimit të Gjykatës së Apelit për vulën e kësaj force politike.
Në një intervistë për Euronews Albania, Baçi u shpreh se vendimi i Apelit, për ta rikthyer çështjen në Shkallën e Parë, do të ankimohet.
Ndaj, sipas Baçit, kur vendimi të ankimohet, Alibeaj nuk do e ketë të drejtën që të regjistrohet në KQZ.
“Nuk ekziston mundësia e regjistrimit të Partisë Demokratike, as të atyre që menduan se mbajtën atë vulën e vjetër. Nuk regjistrohen dot, për arsye se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është marrë dhe ka bërë regjistrimin e Partisë Demokratike me Kuvendin e 11 dhjetorit.
Rrëzimi që i bën Apeli dhe e rikthen çështjen përsëri te Gjykata e Shkallës së Parë, do të ankimohet në Gjykatën e Lartë. Kur ankimohet në Gjykatën e Lartë, absolutisht këta nuk kanë të drejtën të shkojnë te KQZ-ja”, theksoi ai./m.j