Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, për kapitenin e anijes ruse, që u kap me 22.500 ton naftë kontrabandë në port. Prokuroria kërkoi ‘arrest me burg’, për Alexy Smaznov, avokati Artjon Beqiraj pretendoi masë më të lehtë sigurie, atë të ‘arrestit të shtëpisë’.
Sipas avokatit, rusi Smaznov nuk ka asnjë indicie që të jetë përfshirë në kontrabandë.
47-vjeçari rus Alexy Smaznov është vënë nën akuzë për veprat penale “Kontrabanda me mallrat për të cilat paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, ndërsa nafta është vënë nën sekuestro.
Pas hetimeve të kryera hetuesit arritën të zbulonin se karburanti ishte kondrabanduar nga Rusia. Operacioni i koduar “embargo” u zhvillua më 19 shkurt pas informacioneve të siguruara nga ana e strukturave të inteligjencës se një anije me flamur Liberian do të fuste në tregun shqiptar naftë kontrabandë nga vendet e embargos.
Por pavarësisht dokumentacionit të falsifikuar dhe provave të mbledhura hetuesit nuk arritën të shkonin deri në arrestimin e porositësve të ngarkesës. Ky është rasti i parë që kapet një anije me naftë që besohet se vjen nga Rusia, ndërsa janë ndaluar nga policia dhe 22 anëtarët e ekuipazhit.
/e.d