Bashkimi Evropian duhet të angazhohet në mbajtjen e traktatit të Schengen dhe të rishikojë rregullat e traktatit të Dublinit, deklaroi në Athinë, Paolo Gentiloni, ministri italian i Punëve të Jashtme. “Ne presim një angazhim të fortë nga BE’ja kundër zgjidhjeve të jashtëzakonshme të disa vendeve, që mund të kenë pasoja të pakthyeshme për traktatin e Schengen, si dhe angazhimin e Komisionit që të ndryshojë traktatin e Dublinit”, deklaroi Gentiloni në përfundim të një bisede me homologun e tij grek, Nikos Kotzias. Komisioni Evropian konsideron se çelësi i bllokimit të fluksit imigrator është përforcimi i kontrollit të kufijve të jashtëm dhe për këtë i ka kërkuar Greqisë, hyrja kryesore e imigrantëve për në Evropë, që të rregullojë në tre muaj problemet serioze në menaxhimin e pritjes dhe të regjistrimit të imigrantëve.
Nëse Greqia dështon në përmbushjen e detyrimeve të saj, BE’ja mund të aktivizojë një masë të pazakontë të traktatit të Schengen që synon rivendosjen e kontrollit të kufijve në një ose disa vende për një periudhë, të rinovueshme, gjashtë mujore për dy vite maksimumi.