Prokurorët italianë kanë vënë nën hetim ish-kryeministrin Giuseppe Conte, ish-ministrin e shëndetësisë Roberto Speranza dhe 17 persona të tjerë lidhur me reagimin e qeverisë në fillimin e pandemisë së koronavirusit.
Sipas The Guardian, Attilio Fontana, presidenti i rizgjedhur së fundmi i Lombardisë dhe ish-këshilltari shëndetësor i rajonit Giulio Gallera po hetohen gjithashtu për dështimin për të marrë masat e duhura për të parandaluar përhapjen e virusit duke karantinuar qytetet ku ndodhën shpërthimet, që pretendohet se mund të ishin parandaluar nëse zonat do të ishin karantinuar menjëherë.
Një tjetër element thelbësor i hetimit do të jetë mungesa e pretenduar e një plani kombëtar të përditësuar të pandemisë. Italia ishte vendi i parë evropian që dihet se është goditur nga një shpërthim i madh i virusit, me rastin e parë të konfirmuar në Codogno, në Lombardinë jugore, më 21 shkurt 2020. Dy ditë më vonë, një shpërthim ndodhi në spitalin në Alzano Lombardo. Sidoqoftë, ndryshe nga Codogno, i cili u karantinua menjëherë së bashku me 9 qytete të tjera në Lombardi dhe një në Veneto, spitali Alzano Lombardo u rihap disa orë më pas, ndërsa provinca e Bergamos hyri në izolim me të gjithë rajonin e Lombardisë vetëm dy javë më vonë.
Conte, i cili tani drejton Lëvizjen Pesë Yjet, partia që në kohën e shpërthimit të Covid drejtonte qeverinë në koalicion me partinë Demokratike të qendrës së majtë, tha se ishte gati të bashkëpunonte menjëherë me gjyqësorin.
“Jam i qetë përballë vendit dhe qytetarëve italianë, sepse kam punuar me përkushtimin dhe përgjegjësinë maksimale në një prej momenteve më të vështira të përjetuara nga republika jonë”, tha ai.
Speranza, i cili mbeti ministër i shëndetësisë deri në rënien e qeverisë së Mario Draghit verën e kaluar, tha se ndihej “shumë i qetë dhe i sigurt” se ai kishte vepruar gjithmonë “me disiplinë dhe nder në interesin ekskluziv të vendit”./m.j