Më 19 qershor të vitit 2022 është caktuar arrest me burg për vrasësin Dan Hutra, i cili të mërkurën vrau 3 gra në kryeqytet.
Arrestimi i fundit u bë pasi ish-bashkëshortja Elena Hysa e akuzoi për dhunë në familje.
Avokati i Hutrës asokohe kërkoi gjykim të shkurtuar, kërkesë që nuk u kundërshtua nga organi i akuzës.
“Gjykata, duke marrë në konsideratë faktin se, nga palët nuk u paraqitën kërkesa për pavlefshmëri apo papërdorshmëri provash apo kërkesë për marrje provash të tjera; duke marrë në konsideratë se nuk u konstatua pavlefshmëri absolute apo papërdorshmëri të akteve si dhe duke konstatuar se, çështja zgjidhej në gjendjen që janë aktet, detyrimisht vendosi pranimin e kërkesës së të pandehurit për gjykim të shkurtuar,” – thuhej në njoftimin e gjykatës.
Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe sëmundjes kronike nga e cila vuante Dan Hutra, ky i fundit bashkë me avokatin e tij ka bërë kërkesë për zëvendësimin e arrestit me burg në detyrim paraqitje.
Në përfundim të shqyrtimit, prokuroria kërkoi dënimin me 1 vit e 6 muaj burg dhe më pas me aplikimin e kërkesave e dënoi përfundimisht me 1 vit burg.
Pasi u administruan deklarata noteriale që theksonin normalizimin e marrëdhënieve mes palëve si dhe vërtetimin e gjendjes së rëndë shëndetëse të nënës së Dan Hutrës – e cila jetonte vetëm me të birin – ai u dënua përfundimisht me 1 vit.
Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurit nga dita e arrestimit të tij në flagrance në datën 16.06.2022, sqarohej në njoftim.
Në këto kushte Hutra me avokatin e tij paraqesin kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit.
Masat e sigurimit shuhen kur kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se sa masa e dënimit të caktuar.
Duke qenë se një ditë paraburgim është e barabartë me një ditë e gjysëm burgim, Hutra deri më 16 shkurt 2023, që është liruar, rezulton ta ketë kryer të plotë dënimin.
/s.f