Agjentët e FBI-së kanë arrestuar një 40-vjeçar që dyshohet se kishte një mjet shpërthyes në një aeroport të Pensilvanisë në SHBA. BBC raporton se Mark Muffley, akuzohet se ka vendosur pajisjen në valixhen e tij të kontrolluar për një fluturim në Orlando në Florida.
Ai u largua nga aeroporti pasi emri i tij u thirr me altoparlant, thonë agjentët, dhe u arrestua në shtëpi më vonë mbrëmjen e së hënës, pasi u gjurmua nga autoritetet.
Pajisja shpërthyese u zbulua nga zyrtarët e Administratës së Sigurisë së Transportit gjatë një kontrolli rutinë dhe thirrën për ndihmë specialistë të FBI-së dhe një teknik bombash, për të ekzaminuar pajisjen.
Në valixhen e 40-vjeçarit specialistët gjetën pajisjen 7.5 cm me siguresë dhe pluhur shpërthyes dhe fitil.
Ai akuzohet për posedim të një eksplozivi në një aeroport dhe posedim ose tentativë për të vendosur një mjet shpërthyes ose ndezës në një avion. 40-vjeçari do të dalë në gjykatë të enjten.
/a.r