Zbardhja e bisedës mes makinistit të trenit të pasagjerëve dhe punonjësit në stacionin e Larisës ka hedhur dritë mbi gabimin njerëzor që mund të ketë çuar në tragjedinë me të paktën 43 viktima në Greqi.
Mediat greke kanë publikuar transkriptet e bisedës dhe rezulton se drejtuesi i stacionit e udhëzon makinistin të vijojë udhëtimin nga Selaniku, por në atë linjë po lëvizte treni i mallrave.
PJESË NGA BISEDA
Makinisti: A më dëgjoni Larisa?
Shefi i stacionit: Dëgjojmë. Me numrin 47 kaloni semaforin e kuq të daljes, në semaforin e ri të hyrjes së Poros.
Makinisti- VasilI, po iki?
Shefi i stacionit – Po mund të largohesh.
Makinisti- U krye, natën e mirë!
Shefi i stacionit – Paç fat.
Të dy makinistët nuk janë habitur nga drita e kuqe që kanë parë përballë, pasi sistemi i sinjalistikës së dritës nuk funksiononte. Duke cituar burime nga hekurudha, mediat greke raportojnë se drejtuesi i stacionit as që e kishte kuptuar që treni kishte hyrë në binarë të gabuar dhe nuk pati mundësi që ta korrigjonte gabimin e tij në pak minutat e mbetura.
Nëpunësi i stacionit hekurudhor: Mbret, a ta kthej?
Përgjegjësi i stacionit – Jo, jo lerë ashtu siç është sepse pason 1564.
Nëpunësi i stacionit të trenit – U bë, mirë, do ta lë ashtu siç është diagonalisht.
Kjo bisedë e shkurtër zbulon se çfarë ndodhi në të vërtetë: punonjësi i shinave e pyeti drejtuesin e stacionit nëse duhej t’i kthente binarët drejt që treni të vijonte në linjën normale pa probleme.
Megjithatë, shefi i stacionit i tha atij se një tren lokal do të përdorte diagonalen, gjë që e bëri. Por më pas ai harroi të kthente binarët dhe treni me pasagjerë u fut në drejtimin e gabuar.
Dialogët janë formalë, pasi makinistët e trenave nuk kishin asnjë arsye për të vënë në dyshim urdhrin e drejtuesit të stacionit, pasi besonin se ai e kishte kontaktuar kolegun e tij në stacionin tjetër, në Neios Poros, dhe e morën të mirëqenë se linja ishte e hapur.
Vihet re se në këtë ditë të veçantë janë regjistruar disa probleme teknike, si pasojë e të cilave pjesë të linjave janë mbyllur me intervale.
Vetë treni me pasagjerë ishte nisur në orën 22.48 me 48 minuta vonesë nga stacioni hekurudhor i Paleofarsalos, dhe mbërriti në “takimin e vdekjes” me trenin tregtar pak minuta pas orës 23:00.
Shefi i stacionit, pasi fillimisht pretendoi se kishte futur trenin në shinat e duhura “por nuk iu bind sistemi”, pranoi gabimin e tij fatal pasi u mor në pyetje nga autoritetet dhe përballet me akuza të rënda për vrasje.
/a.r