“Njerëz qyqarë që u larguan me bisht ndër shalë”, kështu iu është referuar zv/kryeministri Hashim Thaçi, pjesëtarëve të opozitës dhe atyre që morën pjesë në protestën e së mërkurës, raporton KTV. Nga analistë e qytetarë deklaratat e tij janë quajtur si skandaloze dhe luftënxitëse. Petrit Zogajt ka thënë se deklarata e Hashim Thaçit është ftesë për mejdan.
Skandaloze dhe luftënxitëse këto deklarata të zv/kryeministrit Thaçi i quan edhe analisti Imer Mushkolaj. Ndërkaq, partitë opozitare e kanë quajtur fyese dhe ofenduese deklaratën e Hashim Thaçit, duke thënë se ky i fundit i ka fyer qytetarët që iu bashkuan protestës.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, edhe një herë u ka bërë thirrje krerëve të opozitës që t’i kthehen punës në Kuvend dhe aty t’i diskutojnë të gjitha çështjet. “Kërkoj nga krerët e opozitës që të mos veprojnë edhe më tutje në këtë formë, por të kthehen në Kuvend”, ka thënë Mustafa, në mbledhjen e qeverisë.