Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se Turqia është përballur me një stuhi tërmetesh gjatë muajit shkurt, që do të vazhdojnë ende. Sipas tij, kjo është një situatë e pazakontë.
“Edhe pse disa nuk e pranojnë, kemi përjetuar tërmete që konsiderohen si fatkeqësia e shekullit. Vazhdojmë të përjetojmë tërmete. Të gjithë shkencëtarët thonë se situata nuk është normale. Turqia është përfshirë nga një lloj stuhie tërmetesh”, tha Presidenti gjatë një fjalimi në Parlament.
Megjithatë, ai pranoi disa nga kritikat e opozitës për reagimin pas tërmetit. “Ka pasur mangësi, por ne nxituam të ndihmojmë sa më shpejt me të gjitha forcat”, tha Erdogan. “Nuk mund t’i parandalojmë tërmetet. Tani objektivi ynë kryesor është ndërtimi i shtëpive të sigurta dhe rikthimi i njerëzve në punë. Stuhia e tërmeteve preku 14 milionë njerëz në një diametër prej 500 kilometrash nga epiqendra”, tha Erdogan. “Por ne ia dolëm pavarësisht kushteve të rënda të dimrit dhe infrastrukturës së shkatërruar”.