Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka mbërritur vetë në Tempi për të dëshmuar një nga tragjeditë më të mëdha që kanë goditur vendin e tij. Vetëm pak kilometra larg Larisës dy trena u përplasën me njëri-tjetrin dhe rezultati ishte fatal, 38 viktima dhe mbi 80 të plagosur.
Pasi u njoh me rezultatet e para të hetimit, kryeministri grek ka folur për gazetarët.
“Çfarë po përjetojmë sot si komb është shumë e vështirë. Po flasim për një tragjedi të papërshkrueshme. Mendimet tona janë në radhë të parë dhe mbi të gjitha me të afërmit e viktimave. Detyra jonë është të trajtojmë të plagosurit dhe nga këtu të identifikojmë trupat e pajetë. Mund t’ju garantoj vetëm një gjë. Do t’i gjejmë shkaqet e kësaj tragjedie dhe do të bëjmë gjithçka kemi në pushtet për të ndaluar që diçka e tillë të ndodhë sërish”, u shpreh Mitsotakis.
Sipas asaj që raportojnë mediat greke, kryeministri grek ka qëndruar përgjatë gjithë natës duke u informuar për zhvillimet në lidhje me aksidentin tragjik. Ai ka marrë vendim, i cili hyri sot në fuqi, që Greqia të ketë 3 ditë zie kombëtare.
/a.r