Luftëtari i MMA, 46-vjeçari Phil Baroni u arrestua në San Pancho të Meksikës të diel me dyshimin për vrasjen e të dashurës së tij. Amerikani, një figurë kontroverse me kalime në kategoritë e sportit UFC, Pride, ONE dhe Bellator, ishte ai që thirri policinë dhe pretendoi se ishte një aksident gjatë një sherri mes tyre. Sipas njoftimit, ai ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës.
Gazeta meksikane “Tribuna da la Bahia” ishte e para që raportoi për rastin. Sipas publikimit, Baroni thirri një automjet të Policisë Turistike Shtetërore që po patrullonte në zonë për të ndihmuar me të dashurën e tij, të identifikuar si Paola, e cila ishte pa ndjenja në një dhomë hoteli aty pranë. Me të mbërritur në vendngjarje, policia gjeti vajzën të shtrirë në një shtrat, pa ndjenja, lakuriq dhe të mbuluar me çarçaf. Ajo nuk kishte shenja jete dhe kishte shenja goditjesh dhe mavijosjesh në fytyrë dhe pjesë të trupit.
Baroni pohoi se në orën 3 pasdite (me orën lokale) të diel, ai po pinte marijuanë dhe birrë në dhomën e gjumit dhe filloi të debatonte me të dashurën e tij, teksa e kishte zbuluar se kishte pasur marrëdhënie seksuale me një mashkull tjetër.
Xheloz, luftëtari tha se e urdhëroi të bënte dush dhe kur ajo refuzoi, ai e kapi nga krahët dhe e hodhi në dush. Vajza kishte goditur kokën duke rrëshqitur në shpinë.
Policia e arrestoi nën dyshimin për vrasje. Hetimi po vijon për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes./m.j