Ka një “çift” të konsoliduar në parlament dhe ky është Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Albana Vokshi. Socialisti dhe demokratja ngjajnë se janë parë në një “hënë të keqe”. Debate të ashpra, dyluftime verbale, opinione të kundërta, të gjitha këto i kanë shoqëruar në këto dy vjet e gjysmë, duke bërë që çuditërisht problemet e shëndetësisë dhe gjithçka që lidhet me të të dalë në plan të parë. Duke ofruar transparencë e duke e bërë këtë debat pronë të publikut, armiqësia politike mes të dyve është bërë tashmë një gjë proverbiale në Tiranë, por sot, gjatë seancës në parlament, edhe demokratja, edhe socialisti demonstruan një akt të rrallë mirësjelljeje. E para Vokshi e më pas Beqaj dëshmuan anën e tyre të prekshme njerëzore.
“Në këta dy vjet e gjysmë, në këtë sallë është krijuar një simbiozë mes meje dhe Ministrit të Shëndetësisë. Kemi pasur shpesh debate, replika, kritika dhe shpresoj që sadopak ia kanë vlejtur në përmirësimin e punës në sektorin e shëndetësisë.
Por sot dua që ta thyej atë dhe ta përmend zotin Beqaj në një kontekst krej tjetër. Dua t’i uroj sot:
Gëzuar Ditëlindjen!!
Gjithashtu, i uroj jetë të gjatë e sa më të shëndetshme. I uroj shëndet e të mos sëmuret sa kohë është në pushtet, që kur të vijmë ne ta shërojmë atë dhe shqiptarët!
Gëzuar Ditëlindjen!”, tha Vokshi.
Natyrisht, në fjalën e saj, përveç sinqeritetit, ka edhe një dozë të lehtë politikë.
Për ministrin ishte një surprizë e vërtetë.
“Në këtë sallë janë thënë shumë të pavërteta. Sot u tha një e vërtetë: Unë kam ditëlindjen dhe e falënderoj zonjën Vokshi që ma uroi atë. E çmoj shumë një gjest të tillë. Besoj se politika në veçanti dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi kanë nevojë për gjeste të tillë, kaq të thjeshtë e njerëzorë”, tha Beqaj, i cili gjithashtu nuk e kurseu një dozë të lehtë ironie.
Të dy së bashku, mbas urimeve reciproke, lexuan fjalimet e përgatitura.
Imagjinoni nëse një gjë e tillë do të ndodhte më 4 korrik, kur ka ditëlindjen Rama, ose më 15 tetor, kur e ka Doktori, se si do të mbanin frymën shqiptarët e se si të gjithë do të donin “pak më shumë qetësi e dashuri”, siç predikon Meta.
Ndoshta edhe politika, edhe shoqëria, kanë herë pas here nevojë për frymëmarrje të tillë njerëzore. Pak paqe mes betejave pa fund.
L.V.