Nga Ermir Gjinishi
Kenedi thonte, mos pyet se ç’ka bërë atdheu për ty, por ç’mund të bësh ti për të. Mandela i Ballkanit Adem Demaçi, njeriu që kaloi 30 vite në burgjet e ish-Jugosllavisë, nëse do të ishte gjallë sot do thoshte, 15 vjet pavarësi janë sa gjysma e viteve të burgut tim. Ish të bugosur të tjerë politik, nga pasardhësit e Shaban Polluzhës tek ata të demostratave të vitit 1967, ata të vitit 1981 ndër të cilët ish-kryeministri Bajram Kosumi, e deri te Kryeministri i sotëm Albin Kurti, janë vetëm një pjesë e kalvarit të gjatë të vuajtjeve të popullit të Kosovës.
Nga bota e përtejme dëshmorët e familjes Jashari, përfshirë fëmijët e tyre që humbën jetën në një nga masakrat serbe më të tmerrshme, u gëzohen fundit të suksesshëm të sakrificës sublime. Në bilancin e flijimeve të pamata qëndron edhe familja e madhe Haradinaj. Shumë të vrarë. Ndër ta tre vëllezërit e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Hiri i martirëve solli lirinë New Born. Ata gdhendën shpirtrat e tyre në altarin e epopesë së lavdishme të qëndresës shqiptare për liri, thënë aq bukur në penën e Konicës, i huaji s’mund veçse të pranojë çmimin që një komb i vë vetes së tij.
Pasojat e luftës i ngjajnë një holokausti, 13.535 njerëz të vrarë e të zhdukur. 80% e personave të zhdukur i përkasin moshës 18-40 vjeç. Për 1.647 persona akoma nuk dihet asgjë. Mbi 500 varreza masive. Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës llogaritet të jetë rreth 20 mijë. 60% e shkollave të shkatërruara plotësisht, pjesa tjetër e dëmtuar rëndë. Dëmet materiale që Serbia i shkaktoi Kosovës llogariten rreth 22 miliardë dollar. Sipas UNCHR, OSBE dhe Amnesty International, më shumë se gjysma e popullatës civile të Kosovës u zhvendosën në kampe refugjatësh në Shqipëri e Maqedoni.
Në këtë ditë gëzimi dhe kujtese, shqiptarët përulen me respekt para sakrificës së tyre, pa harruar miqtë që ju gjendën në kohë të vështira. Në panteonin e nderit ata kanë vendosur emblemat e miqësisë, humanizmit dhe solidaritetit. Presidentin Klinton, sekretaren e shtetit Madeleine Albright dhe Tony Blair. E dinë mirë që disa miq në Europë nuk e kanë fort për zemër këtë. Por për shqiptarët miqësia i ngjan librave të vjetër, që koha ua shton vlerën.
Fati i popullit tim është fati im, thonte Pjetër Bogdani. Është vërtetë e dhimbshme kur memorja zhytet në pluhurin e harresës. Kur viktima trajtohet si persekutor dhe persekutori përkëdhelet si të ishte viktimë. Në dikotominë e thagmës së zhgënjimit brenda këtij kontrasti, Nasim Haradinaj, një nga krerët e organizatës së veteranëve të UÇK-së sot i burgosur, shfryu dëshpërimin e tij në Tribunalin e Hagës me fjalët: mua, familjen dhe shokët e mi nuk na kanë thyer burgjet e Serbisë, e sigurisht nuk do na thyeni as ju. Burgosja e Hashim Thaçit dhe krerëve të UÇK-së, të bëjnë të mendosh që çmimi i lartë për pavarësinë e Kosovës akoma nuk ka përfunduar së paguari. E megjithatë kjo mbetet periudha më e lavdishme e New Bornit. Po më pas?
Koha është njësia me të cilëm masim rrjedhën midis ngjarjeve dhe ndryshimeve. Është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe, por edhe më kënaqësi është të jetosh për të, thotë Horaci. Sot në krye të ushtrisë së Kosovës FSK, është nipi i Adem Jasharit. 30 vjet më parë babai, xhaxhai dhe kushërinjtë e tij, themeluan bërthamën e parë të një çete familjare që shtrihej në 2-3 fshatra të Drenicës. Disa vite më vonë, ajo u kthye në UÇK dhe sot në ushtrinë e shtetit të Kosovës. E megjithatë, rezultatet e New Bornit nuk janë aty ku duhej. Dhe për këtë duhet të shohim më shumë tek vetja.
Sot Kosova është një demokraci e brishtë. Është një shtet që nuk kontrollon dot 20% të territorit të vet, njëlloj si Ukraina. Lidershipi i saj aktual gjendet përballë alternativës së vështirë, që për të mos humbur aleatët (të cilët nuk duan ta çojnë Serbinë në krahët e Rusisë) duhet të bëjnë akoma sakrifica, ndoshta edhe më të rënda se paraardhësit e tyre. Kosova gjendet përpara dilemës, të lëshojë territor në veri, apo të pranojë një Serbi brenda Kosovës.
Sot Serbia është vend kandidat për në BE. Në mëngjes flet anglisht, drekon me flamurin e BE-së, dollitë në darkë i ngre me vodka ruse dhe gdhihet me Tai Chi. Çmimin e kësaj loje matrushkash kërkon ta paguaj vetëm Kosova. Fatkeqësisht, falë dobësisë së diplomacisë së Prishtinës, sot Serbia në anën e saj ka dhe një pjesë të bashkësisë perëndimore. Në këtë realitet, kur në njerën anë kemi një Serbi e cila vazhdon ta ketë në kreun e kushtetutës Kosovën pjesë të saj, dhe nga ana tjetër kemi bashkësinë ndërkombëtare që i bën presion Kosovës për të pranuar marrëveshjen me Serbinë, (e cila ngjan pak a shumë me kushtetutën e Jugosllavisë së vitit 1974), është koha për të bërë bilancin e dështimeve 15 vjeçare të shtetit New Born.
Ndërkohë që në Serbi në këto 20 vite janë vendosur lokomotivat e kapitalit amerikan, europian dhe aziatik, në Kosovë nuk ka asnjë emër të rëndësishëm të kompanive multinacionale. Gjeopolitika është gjeoekonomi. Që nënkupton se përveç historisë, sakrificave, pasionit dhe retorikave, ajo që duhet të na lidhë me Perëndimin janë interesat. Sot Kosova vazhdon të ketë ndërvarësi nga Serbia në tregti, energji, etj. Lidhjet e Kosovës me Shqipërinë vazhdojnë të mbeten të vakta, emocionale, e mbi të gjitha pa strategji. Në këtë situatë Tirana zyrtare ka pjesën e saj. Politika e Tiranës në marrëdhëniet bilaterale me Serbinë shpesh ka anashkaluar Kosovën. Megjithatë dështimi më i madh i 15 viteve të New Bornit ngelet privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha, të cilat prodhuan vetëm disa oligarkë vendas, andej dhe këtej kufirit me Shqipërinë, duke ndaluar kapitalet perëndimore të hyjnë në Kosovë. Ekonomia e Kosovës dominohet nga modeli putinist i ndarjes së parave në pak duar.
Nëse pas Luftës së II Botërore, Tito i detyroi shqiptarët e Jugosllavisë të emigronin drejt Turqisë dhe Europës dhe në fillim të viteve 90 Miloshevici i largoi nga vendet e punës duke i detyruar të iknin nga Kosova, sot alternativa e vetme e rinisë së Kosovës është liberalizimi i vizave. Dhe kur kjo të ndodhë, i riu i fundi që do të ngelet në Kosovë do tërheqë portën. Pas kësaj, në Kosovë rrezikojnë të mbeten vetëm politikanët, pensionistët, fëmijët, nëpunësit, oligarkët, dhe ata pak ndërkombëtar që ende ruajnë Kosovën. Ky është kërcënimi i vërtetë i New Bornit. Të rinjtë që duhet të ndërtojnë Kosovën, ta mendojnë të ardhmen e tyre diku tjetër. Këtë ofertë i ka dhënë politika 15 vjeçare e Prishtinës qytetarëve të saj.
Nuk keni të drejtë ta ktheni New Bornin në No Born. Skllavëria më e madhe është të mos kesh liri e të konsiderohesh i lirë. Nëse sot klasa politike e Kosovës, për pazaret politike të ditës apo për presionet ndërkombëtare, do pranonte një marrëveshje me status problematik e cila cënon integritetin territorial apo sovranitetin e Kosovës, askush nuk do të garantonte që në të ardhmen një lidership tjetër i Serbisë të kushtëzonte qëndrimin e Serbisë në BE me Kosovën brenda vetes, apo një tjetër republika serbska në territorin e Kosovës.
Në këtë situatë kaq të nderë, Kosova nuk duhet të harrojë dy porosi të çmuara të presidentit të ndjerë Rugova. Ai thoshte, kompromisi më i madh që mund të ketë Kosova, është pavarësia e baraslarguar nga Serbia dhe Shqipëria, me një të ardhme të panegociueshme europiane. Lidershipi politik në Kosovë, duhet të lërë urgjentisht mënjanë cic-micet partiake, të ngrihet në nivelin që kërkon ky moment, dhe të bashkohet nën himnin e poetit të ndjerë Ali Podrimja: “Kosova është gjaku im që nuk falet”.
Gjinish !
Si i zgjuar që je, ke shkruajtur fjalë të mënçme, që çdo njeri normal në tokë, ju kupton e ju vlereson.
Duhet të përfshiheni edhe më shumë, në diskutimet e temave dhe ngjarjeve “pikante” që shqetesojnë këtë popull e këtë vënd.
Pse jo, edhe në politikë, duke krijuar një profil tuajin, që tashmë spikat, dhe për tu bërë nismëtar i një rryme të rè politike, nacionaliste, apo me frymë kombëtare, asnjanëse (majtas apo djathtas), për të nxjerrë nga amullia dhe stanjacioni, ngërçin politik te krijuar nga dy “superfiqitë” PD dhe PS.
Thjesht sugjerim duke ditur dhe njohur kapacitetin tuaj.
Me konsiderate.