Gjashtëdhjetë e dy persona , përfshirë 12 fëmijë, janë konfirmuar deri më tani se kanë vdekur pasi anija prej druri u mbyt në det të trazuar pranë Kalabrisë. Varka ishte larguar nga porti turk i Izmirit katër ditë më parë, me njerëz nga Afganistani, Iraku, Irani dhe Pakistani, të cilët ishin vetëm disa metra larg bregut kur ndodhi tragjedia.
Të shtunën mbrëma anija u pa rreth 74 km larg brigjeve italiane nga një aeroplan i Frontex, por varkat patrulluese të dërguara për këtë anije u kthyen në port për shkak të motit të keq. Policia tha se më pas mobilizoi një skuadër për të kontrolluar vijën bregdetare.
Ishte rreth orës 5.30 të mëngjesit të së dielës kur Vincenzo Luciano nxitoi në plazh në Steccato di Cutro pasi mori një telefonatë nga një peshkatar tjetër i cili i tha se kishte parë një varkë te mbytur ne det.
“Ishte ende errësirë, por kur mbërrita, pashë shumë trupa në plazh, ato të fëmijëve gjithashtu“, tha Luciano.
“Duke përdorur dritën e telefonit tim u përpoqa të gjeja të tjerë në det. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur më parë në këtë pjesë të bregdetit dhe shpresoj të jetë një kujtim që mund ta harroj shpejt.”
Mbetjet e anijes 20 metra të gjatë u shpërndanë përgjatë bregdetit të hënën, si dhe sendet e pasagjerëve të saj, duke përfshirë këpucë dhe çanta shpine.
Antonella, e cila po shëtiste përgjatë plazhit me shoqen e saj Maria, tha: “Jemi të gjithë në shok. Plazhi është si një varrezë. Shikoni detin, është i bukur, por mashtrues.”
Tetëdhjetë persona mbijetuan, nga të cilët 20 janë shtruar në spital, një në terapi intensive.
Dy persona, mes tyre një shtetas turk, janë arrestuar nën dyshimin për kontrabandë me njerëz. Ndërkohë që ende mbetet e paqartë se sa persona kishte në varkë.
Kjo është anija më vdekjeprurëse e emigrantëve që ka ndodhur kaq afër bregut në Itali që kur 368 njerëz humbën jetën pasi anija në të cilën ndodheshin u fundos në ishullin Lampedusa në Tetor 2013.
Mbytja e anijes ka rindezur gjithashtu debatin mbi emigracionin në Evropë dhe Itali.
/a.r