Erion Alibej ka nuk ka folur para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar në lidhje me vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.
Procesi këtë të martë zhvillohej për këtë të fundit i cili u gjet i masakruar me thikë pranë varrezave të qytetit të Elbasanit në vitin 2020.
Raportohet se Alibej ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit dhe të pandehurit, teksa i pyetur nga gjykata ai tha se do të fliste, por në një moment tjetër.
“Jam i gatshëm të flas, por në një moment të dytë. Më ka ndodhur një problem familjar”.
Gjyqtarja i kujtoi të pandehurit se të njëjtin qëndrim ka mbajtur disa muaj më parë, por Alibej insistoi, se problemi familjar sapo i kishte ndodhur.
Kërkesa e tij u pranua edhe nga prokurori që i tha gjykatës që t’i jepej mundësia të dëshmonte në një moment tjetër.
Përveç kësaj, në GJKKO dhanë deklarimet e tyre edhe dy dëshmitarë që konstatuan të parët trupin e pajetë të Regis Runajt. Latif e Mariglen Daka, babë e bir, thanë se ishte djali i pari që kishte konstatuar trupin dhe lajmëruar të atin, ndërsa ky i fundit ishte rikthyer me Mariglenin dhe pasi panë trupin, njoftuan policinë.
/a.r