Teksa lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në vitin e dytë, shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka “vetëbesim të tepruar” për aftësitë e ushtrisë së tij për ta mposhtur Ukrainën.
Në një intervistë televizive, Burns ka thënë se udhëheqësi i shërbimeve ruse të inteligjencës e ka shpërfaqur në disa takime të mbajtura në nëntor “një ndjesi të mendjemadhësisë” që më pas ka reflektuar në besimet e Putinit se “ai mund t’i mposhtë ukrainasit dhe t’i rraskapitë aleatët tanë evropianë, dhe që në fund do të ketë lodhje politike”.
Burns ka thënë se bisedat e zhvilluara atë muaj me zyrtarë rusë – në të cilat ka shefi i CIA-s ka paralajmëruar për pasoja nëse Rusia përdor armën bërthamore në Ukrainë – kanë qenë shumë “dekurajuese”.
Shefi i CIA-s e ka konsideruar Putinin si “goxha të vendosur” për ta vazhduar luftën, pavarësisht numrit të viktimave, dështimeve të taktikave dhe dëmit ekonomik që i është shkaktuar Rusisë, shkruan REL.
“Mendoj se Putin tani ka vetëbesim të tepruar për aftësitë e tij për ta dërrmuar Ukrainën”, ka thënë Burns në një intervistë në rrjetin amerikan, CBS.
/s.f