Shoferi i urbanit të Unazës, 62-vjeçari Agron Xhafa, i cili u përfshi në një aksident të shumëfishtë në kryeqytet mesditën e djeshme është arrestuar për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjithçka ndodhi rreth orës 11:35, në vendin e quajtur “Ura e Tajvanit”, ku autobusi i linjës së Unazës u përfshi në aksident duke goditur edhe 9 automjete të tjera.
Siç mund të dallohet edhe nga kamerat e sigurisë, autobusi godet fillimisht një makinë tip Audi dhe më pas mjetin tip Porsche.
Ky i fundit nga forca e goditjes shkatërron stacionin e urbanit dhe pastaj përplaset me pemën, e cila i shpëton jetën një kalimtareje.
Autobusi ende në lëvizje për shkak të forcës shtytëse ndryshon drejtim, duke u përplasur dhunshëm edhe me makinat e tjera.
Fatmirësisht u raportua vetëm për të dëmtuar, mes të cilëve edhe shoferi i urbanit.
Një prej drejtuesve të mjeteve të përfshira në përplasje tha se autobusi ka qenë me shpejtësi tepër të lartë në momentin kur ndodhi ngjarja.
“Ishte shumë shpejt.”
E ndërsa zyrtari i policisë rrugore Taulant Gjoka tha se shkaqet po hetohen.
“Sa më parë të kemi një verdikt lidhur me shkaqet e aksidentit rrugor do t’ua bëjmë me dije.”
Gjatë kontrollit për alkool që i është bërë drejtuesit të urbanit në spital nuk ka rezultuar që të ketë qenë nën efektin e alkoolit.
Ndërkohë testeve për drogë dhe alkool do ti nënshtrohen edhe shoferët e tjerë të mjeteve që u përfshinë në ngjarje.
Hetimi i aksidentit do të përfshijë edhe një akt-ekspertim teknik për të parë nëse ka pasur probleme teknike apo elektrike.
/a.r