Policia e Tiranës mori në pyetje shoqen e dhomës së 22-vjeçares Joy Ayoko, e cila dyshohet se u dhunua dhe hodh nga dritarja e dhomës së hostelit ku jetonte në Gusht të 2022.
E reja humbi jetën disa ditë më parë në vendlindjen e saj, pasi qëndroi 6 muaj në koma.
Hetuesit e krimeve të rënda, kërkuan të dinin më shumë të dhëna për kontaktet që e reja kishte pasur me të dhe mënyrën se si shoqja e saj kishte konstatuar ngjarjen e rëndë. Ishte pikërisht ajo që të nesërmen gjeti trupin e shoqes së saj pranë banesës.
Një ditë më parë në pyetje për këtë ngjarje u rimor edhe shoferi i kazinosë ku punonte viktima, Rodi Braçi, 32 vjeç. Ai dyshohet të jetë një nga kontaktet e fundit që keniania ka patur mbrëmjen kur ndodhi ngjarja.
Hetimet kanë treguar se 32-vjeçari e ka lënë atë në hostelin ku strehoheshin ajo dhe disa vajza të tjera me nënshtetësi të huaj që punonin në një kazino në Tiranë.
Në deklarimet e tij fill pas ngjarjes shoferi ka mohuar të ketë patur konflikte mes tij dhe 22-vjeçares. Të njëjtin qëndrim mësohet të ketë mbajtur edhe këtë të shtunë përpara grupit hetimor.
6 muaj pas ngjarjes së rëndë, Policia dhe Prokuroria ende nuk ka një përgjigje se çfarë ka ndodhur me të renë.
Grupi hetimit është në pritje të disa akt ekspertime të kërkuara me shpresën se do ndihmojnë në sqarimin e ngjarjes, e cila mbetet e veshur me mister. Një prej pistave ku hetuesit kërkojnë të gjejnë prova është ekspertimi I celularit të viktimës, me qëllim nxjerrjen e kontakteve të saj të fundit.
/s.f