Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Mesila Doda, ka publikuar sot Komunikatën e grevistëve të urisë në faksimile, postuar nga Zëvëndësministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Gentiana Sula.
Komunikata e studentëve grevistë, në përvjetorin e 25 të grevës së urisë për heqjen e emrit e diktatorit Hoxha nga Universiteti i Tiranës, përkon pikërisht me 18.02.1991.
Deputetja Mesila Doda nëpërmjet një postimi në Facebook në mesditën e së enjtës shprehet: “Miq, dua të ndaj me ju Komunikatën e studentëve grevistë, në përvjetorin e 25 të grevës së urisë për heqjen e emrit e diktatorit Hoxha nga Universiteti i Tiranes. Kete Komunikate e ruaj si nje relike e vyer te nje ngjarje te pashlyeshme te jetes sime dhe te gjithe shqiptareve!”
Në vijim, Doda publikon një faksimile të komunikatës, ku thuhet: “Komunikatë: Komisioni i grevës së studentëve të UT-së dhe Instituteve të Larta të Tiranës njofton opinionin publik mbarëkombëtar se në mbështetje të kërkesës së tyre të drejtë për heqjen e emrit të universitetit qindra studentë e pedagogë u hodhën sot në grevë urie në ambjentet e brendshme të qytetit studenti. Kjo ngjarje pa precedencë në historinë e Shqipërisë është pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimit që kanë mbajtur ndaj protestave tona autoritetet përkatëse. Dy javë me radhë ne bojkotuam mësimin dhe u përpoqëm të gjenim rrugën më demokratike për zgjidhjën ë problëmit, dy javë me radhë sheshi demokracia buciti nga brohoritjet, dy javë me radhë ne argumentuam në mënyrë bindëse se heqje e emrit nuk është kaprico, por domosdoshmëri. E për të gjitha këto morëm si përgjigje nga qeveria një vendim apatik, jo realist që më tepër se sa e shuan, sic pretendon , e nxit tensionin”.
“Vellezër dhe motra, Ditët heroike të dhjetorit na mësuan të jemi të vendosur. T’i njohim të drejtat tona dhe mos t’i kapërcejmë ato. Si ëngjëj bartës të demokracisë, studentët janë të bindur që ta cojnë deri në fund rrugën e tyre, atë që i hapi pluralizmit dyert 46 vjet të ndryshkura të Shqipërisë. Ndryshe demokracia do mbetet jetime (ne fakt kjo fjale nuk lexohej dot) ndryshe ju vetë do të na quanit të dobët, dhe historia do të na ndëshkojë. Në këto ditë, kur e ardhmja e atdheut na rëndon fort mbi supe, ne e ndjejmë se vetëm nje demokraci reale mund të jetë shpëtimtare për të. Dhe heqje e emrit të universitetit, si një vendim i padrejtë i së shkuarës, është kusht bazë për demokracinë”, thuhet në komunikatë .
Komunikata e studentve të dhjetorit vijon: “Prindër, vëllezër dhe motra; Me vendosmëri por dhe pa dhimbje ne ju themi se sot nuk do të kthehemi si përherë në vatrat familjare. Nuk do të kthehemi as në mbrëmje . Ndoshta do t’ju mungojmë për ditë me radhë dhe jemi të bindur që kjo mungesë do tu bëjë juve krenarë.Ndaj ju lutemi mos u merakosni, mos u largoni nga shtëpia dhe punët tuaja për të na bërë thirrje të heqim dorë. Ju po aq mirë sa ne e dini se Universiteti nuk ngrihet kot. Ndrydheni shqetësimin tuaj në vetvete ashtu si në ditët e dhjetorit, ku ndërsa na përcillnit duke na bindur të mos ndaheshim nga shokët, uroni që ëndrrat tona të mos mbesin vetëm të tilla. Komisioni organizativ i lëvizjes studentore, Tiranë , më 18.2.91”.