Amar Dritan Shkëmbi, anëtari i bandës së Plaurent Dervishajt, i arrestuar një ditë më parë në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe është mbajtur për rreth 2 javë nga autoritetet vendase. Gjatë momenteve të ndërhyrjes ka bërë rezistencë dhe ka qenë pa mjet identifikimi me vete.
Pas kësaj është shoqëruar për verifikim dhe pas krahasimit të shenjave të gishtave me të dhënat që ka dërguar Policia e Shtetit atje që më herët, ka rezultuar se ishte shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grup të strukturuar kriminal për një atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në Shqipëri në 1 nëntor 2019. Ekstradimi i tij drejt Tiranës mund të bëhet në vijim vetëm me një vendim të gjykatës në Emiratet e Bashkura Arabe.
Sipas burimeve nga policia, ekziston një marrëveshje ekstradimi në bazë të disa konventave ndërkombëtare, të cilat mund të interpretohen nga gjykata atje për t’i dhënë dritën jeshile ardhjes së Shkëmbit në Shqipëri. Amar Dritan Shkëmbi, ditën e atentatit dyshohet se ka qenë në automjet dhe këtë hetuesit e kanë mësuar shpejt në atë kohë, edhe pse po atë ditë ka rezultuar jashtë territorit të Shqipërisë referuar sistemit TIMS, duke ngjallur dyshime për njerëz brenda radhëve të bluve që mund ta kenë ndihmuar.
Prej më shumë se 1 muaji autoritetet tona kanë njoftuar ato të Emirateve, pasi e kanë lokalizuar vetë që këtu përmes informacioneve të kanë mbledhur.
/s.f