Shqiptarët janë të kudogjendur kur bëhet fjalë për goditje të grupeve kriminale, që merren me trafikun e lëndëve narkotike në vende të ndryshme të botës.
Kësaj here sërish është Spanja ajo që ka marrë përsipër, edhe me ndihmën e Europol të godasë një organizatë, brenda së cilës bëhet me dije se shumica ishin shqiptarë. Nga të dhënat e operacionit që janë bërë me dije ditën e djeshme për mediat spanjolle është thënë se në fakt me ndërhyrjet nëpër vendet ku dyshohej se kishin vendbanimet anëtarët e këtij grupi, është sekuestruar një sasi prej afro dy tonë drogë.
Policia gjatë operacionit ka mundur të sekuestrojë pasuri dhe para cash ku shifra është marramendëse. Autoritetet spanjolle flasin për të paktën 5 milion euro, të cilat janë sekuestruar. Grupi, në përbërje të të cilit kishte kombësi të ndryshme, kishte bazën në Sevilja, ndërsa ende nuk bëhet me dije se kush e drejtonte këtë grup dhe kush janë shqiptarët e vënë në pranga.
OPERACIONI SIPAS MEDIAVE SPANJOLLE
Mediat lokale të Seviljas bënë me dije se një operacion nga Guardia Civile spanjolle e mbështetur nga Europol ka çuar në arrestimin e 20 personave të përfshirë në pastrim parash dhe trafikim droge. Nga ky operacion janë sekuestruar më shumë se 5.5 mln euro dhe mbi 2 tonë drogë. Me qendër në jug të Spanjës, rrjeti kriminal përbëhej nga shtetas shqiptarë, italianë, spanjollë dhe marokenë.
Grupi drejtohej nga shtetas italianë që përdorte dokumente të falsifikuara. Policia bëri me dije se janë kontrolluar 6 shtëpi në Sevilje të Spanjës, ku janë arrestuar 20 personat e dyshuar. Po ashtu, është zbuluar pasuri dhe më pas sekuestruar me vlerë rreth 5.5 milionë. Ndërkohë mësohet se janë sekuestrohen 2500 kilogramë hashash dhe 45.6 kilogramë marijuanë. Policia njoftoi se kishte bllokuar edhe mjetet që përdoreshin për infrastrukturën kriminale duke përfshirë kamionë, një varkë, mjete për kultivimin e marijuanës dhe prodhimin e hashashit dhe 34 telefona celularë.
Po ashtu, u bë me dije se u zbulua edhe një plantacion i madh marijuane dhe një laborator droge, brenda të cilëve u gjetën edhe dokumente të falsifikuara udhëtimi dhe identifikimi. Rrjeti kriminal përdori një sërë metodash të pastrimit të parave për të errësuar të ardhurat e tyre nga trafiku i drogës. Këto përfshinin kanalizimin e parave – përmes llogarive bankare të biznesit duke përdorur fatura false, kredi ose borxhe të tjera – midis një rrjeti kompanish të përfshira në transportin e drogës. Metoda të tjera të përdorura ishin investimet në pasuri të paluajtshme luksoze, qira, mallra dhe automjete luksoze, si dhe pagesa me para në dorë.
/e.d