Emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka trajtuar problemin e Erik Alkollarit, i cili ka një kompani makinash me qira dhe në Dhjetor i dha shtetasit Mirjon Gjeloshi një “Audi Q5” për 10 ditë.
Mirjon Gjeloshi u ndalua nga policia dhe nuk kishte patentë me vete. Atij iu tërhoq leja e qarkullimit e makinës, që i përket agjensisë.
Në fund, shtetasi u zhduk dhe leja e qarkullimit nuk i zhbllokohet pa dorëzuar patentën fizikisht ky i fundit.
Denoncuesi: Ne me datë 29 Dhjetor 2022, i kemi dhënë një klientit tonë këtë “Audin” me qira për 10 ditë. Ky personi gjatë vozitjes me makinë për një moment nuk e ka pasur patentën me vete fizikisht, në sistem rezulton që është me patentë edhe Policia i ka tërhequr lejen e qarkullimit. Ka kaluar disa ditë, personi nuk ka treguar, por më pas ka ardhur tek zyra dhe më ka treguar që ka këtë problem. Kemi shkuar me atë tek Policia, kemi thënë se cila është arsyeja që ia mban lejen e qarkullimit. Më kanë thënë që ky personi pa sjellë patentën fizikisht, nuk e merr lejen e qarkullimit. Leja e qarkullimit e kësaj makine është në emër të kompanisë tonë. Kjo makinë ka një kontratë qiraje, nuk është një makinë vetjake. Më thanë tek policia për të hapur gjyq. Tani, si të hap gjyq për një leje qarkullimi kur leja e qarkullimit është këtu. Makina është me zero detyrime. Ata e shohin në sistem se ky personi e ka patentën. Ai thotë që e ka në procesverbal që pa ardhur patenta këtu, nuk ta jap lejen e qarkullimit. Unë nuk mund ta jap dot makinën me qira sepse në momentin që ta bëj kontratën e makinës, momentin që një patrullë ndalon, në momentin që nuk ke lejen e qarkullimit, direkt makina shkon në pikë bllokimi. Dëmi shkon në 3000-4000 Euro sepse kjo e ka çmimin 50 Euro dita.
Në Komisariatin e Policisë Rrugore i thonë të bëjë një ankesë, që të zgjidhë problemin.
Punonësja: Ky ka dhënë mjetin me qira, personi është konstatuar, i është bllokuar leja e qarkullimit sepse nuk ka patur lejen e drejtimit me vete.
Shefja te Kartoteka: Derisa të sjellë patentën, nuk e merr dot.
Punonjësja: Zotëria tani paska gjetur dhe kartën e identitetit të zotërisë edhe…
Shefja: Prapë duhet patenta!
Qytetari: Ajo makina është makinë qiraje, policit, kur i bie targës i ka dalë “rent car”, makinë me qira dhe minimalisht duhet të kërkonte kontratën!
Shefja: Unë të thashë duhet ta bësh ankesën me shkrim drejtuar Drejtorisë Policisë Rrugore!
Qytetari: Po nuk e marrin për bazë fare.
Shefja: Po çoje me postë, e marrin për bazë, janë të detyruar të të kthejnë përgjigje. “Nuk ma japin lejen e qarkullimit!”-thuaja.
Shefja: Te Komisariati i Policisë Rrugore nuk më japin lejen e qarkullimit.
Shefja: Prandaj po të them ankohu ti që të gjesh zgjidhje!
Pas komunikimit që pati “Stop” me shefen e kartotekës, u tha se procedura ishte vonuar sepse nuk ishte bërë lidhja e dokumenteve.
Shefja e kartotekës: Sot i kemi kërkuar QKB-në e firmës, të na bëjë lidhjen e dokumentave dhe e kemi procedurën gati.
Gazetarja: Nuk më rezulton që kjo ka qenë kërkesa juaj që në fillim.
Shefja e kartotekës: Nuk e di tani, ai ka folur me shumë persona, po unë sot e kam marrë në dorë si praktikë. Janë raste për t’u diskutuar me eprorët, janë ca klauzola, janë ca hapësira ligjore, që ne nuk dimë, si të veprojmë në këto raste.
Pas interesimit të “Stop”, qytetarit iu kthye leja e qarkullimit.
Denoncuesi: Më në fund e mora pas 2 muajsh përpjekje, falë jush, emisionit “Stop” arritëm që ta marrim lejen e qarkullimit. Kemi vuajtur shumë, vija përditë këtu dhe nuk gjejsa asnjë zgjidhje. Shyqyr Zotit, falë jush e morëm lejen e qarkullimit.
/a.r