Nga Fred Abrahams
…. PD-ja u largua edhe më tepër nga studentët, dhe zhgënjmi i brezit të ri po shtohej. Udhëheqësit studentorë donin t’i kundërviheshin regjimit por PD-ja takohej rregullisht me Ramiz Alinë për konsultime. U ankuan edhe ish-të burgosurit politikë. Kur drejtuesit e PD-së erdhën në Shkodër për të ngritur degën lokale të partisë, prifti katolik dhe ish-i burgosuri politik, Simon Jubani, u foli atyre pa doreza: “Ne ju falim që jeni komunistë, po tani vihuni në rresht”.
Pashkoja dhe Berisha kundërshtonin duke thënë se Shqipërisë i duhej një parti serioze. Ashtu si Alia, ata argumentonin se mungesa e traditave demokratike në Shqipëri kërkonte respekt. Të lëvizje tepër shpejt ishte e papërgjegjshme dhe do të sillte rezultate të padëshiruara.
Paradigma “të moderuar-radikalë” nuk e shpjegon gjithmonë sjelljen e atyre që ishin të përfshirë. Ndërkohë që dolën dy kampe në tërësi, individët në këta kampe i ndryshonin pozitat e tyre në varësi të rrethanave. Ndoshta, faktori shtytës ishte, më shumë se gjithçka tjetër, jo ideologjia por luftërat për pushtet brenda grupit. Partia Demokratike nuk ishte Solidarnosti i Polonisë apo Karta 77 e Çekosllovakisë, që ishin ngritur në parim kundër komunizmit. Themeluesit e partisë nuk ishin disidentë që e kishin sfiduar pushtetin në dëm të vetes së tyre.
Në retrospektivë, është e parashikueshme që në majë u ngjitën njerëz si Berisha dhe Pashko. Këta njerëz flisnin gjuhë të huaja dhe kuptonin ekonominë dhe politikën ndërkombëtare më mirë se të tjerët. Ata mishëronin paradoksin e të gjithë bllokut sovjetik, sipas të cilit ata që kishin aftësi për të qeverisur në sistemin e ri ishin ata që kishin përfituar nga i vjetri.
Në shkurt 1991, studentëve po u sosej durimi. Euforia e pluralizmit ishte tretur në qasjen ujëshumë të Partisë Demokratike ndaj shtetit. Berisha, Pashkoja dhe të tjerët ishin tepër të vetëkënaqur, thoshin disa studentë, dhe kishte ardhur koha që të lëviznin gjërat.
Më 5 shkurt u ndërpre energjia elektrike në Institutin Bujqësor, në periferi të Tiranës, dhe nje grup studentësh kërkoi dorëheqjen e dekanit. Dekani refuzoi dhe studentët shpallën grevë deri sa të përmirësoheshin kushtet e jetesës. Me ardhjen e mëngjesit, protesta u forcua dhe me të u bashkuan edhe studentë nga Universiteti “Enver Hoxha”. Rreth mesditës, në Qytetin Studenti ishte mbledhur një turmë tjetër. Ndërsa folësat merrnin mikrofonin, lista e kërkesave rritej: nëqoftëse nuk përmirësoheshin kushtet e jetesës për studentët, qeveria duhej të jepte dorëheqjen.
Të nesërmen, studentët në Qytetin Studenti formuan një komitet, i cili i dërgoi kryeministrit një letër të hapur ku shtjelloheshin kërkesat e studentëve të bujqësisë55. Pasi kërkonin ngrohje më të mirë, rrugë të shtruara dhe një disko në Qytetin Studenti, studentët bënë thirrje për “çlirimin e shkollës nga ideologjia”. Mandej vinte kërkesa më delikate: heqja e emrit të Enver Hoxhës nga shkolla dhe emërtimi i saj Universiteti i Tiranës. Nëqoftëse qeveria nuk i përmbushte këto kërkesa, thoshte letra, atëhere ajo duhet të jepte dorëheqjen.
Thirrja për heqjen e emrit të Hoxhës ishte strategjike dhe e ngarkuar me tension. Studentët kishin ndërmend të godisnin zemrën simbolike të regjimit. Ata donin të përcillnin mesazhin, sidomos në zonat fshatare, që komunizmi kishte vdekur.
Qeveria i hodhi poshtë kërkesat e studentëve. Ramiz Alia kishte qenë personalisht në krye të ceremonisë së vënies së emrit në 1985, duke tërhequr në mënyrë dramatike perden që mbulonte mbishkrimin e gdhendur në mur “Universiteti Enver Hoxha”. Heqja e emrit do të fyente të kaluarën e Shqipërisë dhe qytetarët e saj, tha ai. Për tmerrin e studentëve, udhëheqësit e PD-së ranë dakord. Ata kishin frikë se mos provokonin regjimin dhe krahun e tij konservator. Partia i kishte premtuar Alisë që do të merrte pjesë në zgjedhjet e para më vonë gjatë atij muaji në mënyrë paqësore dhe me respekt për ligjin. Ata mendonin gjithashtu se një grevë do të humbte kohë të çmuar nga fushata elektorale.
“Ne menduam që po të krijonim probleme atëhere do të gjenim belanë ngaqë shkelëm rregullat”, më shpjegoi Gramoz Pashkoja në 2001 në dhomën e tij të pritjes , aty ku themeluesit e PD-së hartuan platformën e partisë para njëmbëdhjetë vjetësh. “Nga ana simbolike veprimet e tyre ishin të mira, por mund të kishin pakësuar mbështetjen për ne sepse ato jepnin mesazhin që ndryshimi do të vijë me kaos dhe anarki”.
Në fund të fundit, PD-ja as nuk mund ndalonte, as nuk mund t’i kundërshtonte studentët, kështu që ajo eci në një rrugë të mesme duke propozuar një referendum për heqjen e emrit të Hoxhës. “Partia Demokratike beson se stabiliteti nuk mund të arrihet duke mbyllur veshët, duke kundërshtuar ose mohuar kërkesën e studentëve për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës”, thoshte një deklaratë e formuluar me kujdes. “Përmbushja e kërkesës së studentëve nëpërmjet një referendumi të studentëve dhe të personelit të universitetit nuk e prek emrin e Enver Hoxhës si udhëheqës i Partisë së Punës së Shqipërisë”56.
Teatri i rrugës në Qytetin Studenti po rritej nga dita në ditë. Studentët përdornin një mikrofon metalik të lidhur me altoparlantë mbi një tavolinë druri për të amplifikuar thirrjet e tyre për pluralizëm dhe reformë, shpesh të ndërprerë nga shpërthime thirrjesh të ngjirura “Liri, Demokraci”, ose më të qarta akoma, “Poshtë Enveri”. Studenti i arteve, Blendi Gonxhe shërbente si mjeshtër i ceremonive, duke lexuar me sarkazëm lëvdata poetike ndaj Enverit përpara një pankarte të pikturuar me dorë që thoshte “Give peace a chance!”.
“Turma ishte si lavanderi”, kujtoi Gonxhe pas dhjetë vjetësh në zyrën e tij në bashki, ku punonte si zëvendëskryetar i bashkisë. “Ata vinin për të pastruar veten”.
Studentët e merrnin mikrofonin për të shprehur zhgënjimet dhe ëndrrat e tyre. “Gjatë pushimeve të pranverës, studentët e Europës Perëndimore shkojnë për ski në Alpe”, tha një student nga Tropoja, ndërsa shoku ia mbante mikrofonin afër buzëve, sipas regjistrimit me video nga ajo ditë. “Kurse studentët shqiptarë kërkojnë takim me kryeministrin”.
“Ne kemi tetë parti politike dhe që të gjitha janë të komprometuara nga partia komuniste”, deklaroi Shinasi Rama, duke iu referuar partive të tjera, si psh. republikanët dhe socialdemokratët, që kishin ardhur në jetë pas PD-së. “Ky është pluralizëm i rremë”.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të sapoformuara do të deklaronte grevë të përgjithshme po të mos përmbusheshin kërkesat e studentëve, lajmëroi një përfaqësues. Një zëdhënës nga Kombinati i Autotraktorëve “Enver Hoxha” tregoi një peticion me dymijë emra ku bëhej thirrje që ndërmarrja e tyre të riemërtohej Uzina Traktori. Erdhi gjithashtu edhe studenti dhe zyrtari i PD-së, Azem Hajdari, që mbante veshur pardesynë e bardhë elegante. “Të dashur vëllezër e motra”, tha ai sipas videos, “Ju falemnderit që na lejuat të lëviznim me makina rreth e rrotull”.
Erdhën, po ashtu,edhe zyrtarë të qeverisë, si psh. Ministri i Arsimit Gjinushi, që u mundua ta përqëndronte turmën te kërkesat ekonomike, por që e ndërprisnin vazhdimisht me thirrjet “Hiqni emrin! Hiqni emrin!”. Ai takoi komisionin e grevës dhe u ofroi studentëve kushte më të mira materiale nëqoftëse ata e tërhiqnin kërkesën e tyre për ndryshimin e emrit. Megjithatë, ndryshimi i emrit përfaqësonte zemrën e lëvizjes. Për tetëmbëdhjetë ditë, asnjëra nga palët nuk pranoi të tërhiqej. Protesta studentore u bë më e madhe dhe qeveria theksoi se emri dhe puna e Enver Hoxhës “i përket të gjithë popullit”57.
Duke reflektuar për grevën e studentëve vite më vonë, Ramiz Alia tha se ajo e shqetësoi shumë. “Ata ishin të rinj që nuk e dinin se ç’po bënin”, tha ai. “Kërkesat e tyre do të nxisnin konflikt”. Hoxha ishte i shenjtë dhe krerët e partisë në rrethe tashmë po ankoheshin që partia e kishte humbur kontrollin. Lajmi i një organizate të mjegullt që e quanin “Vullnetarët e Enverit” kishte arritur në Tiranë.
Të pashqetësuar, të premten më 15 shkurt, studentët hodhën një hap tjetër. Në Qytetin Studenti ra një borë e trashë dhe e qullët duke i bërë çadrat e zeza të turmës lara-lara me flokë të mëdha. Blendi Gonxhja lajmëroi se qeveria duhet ta hiqte emrin e Hoxhës deri në mesditën e të hënës, përndryshe studentët do të hynin në grevë urie. Qeveria nuk u tërhoq, kështu që të hënën, në 11.30, me qindra u rreshtuan jashtë qendrës kulturore të Qytetit Studenti. Shtatëqindenjëzetetre veta firmosën emrat e tyre në listën e grevistëve, puthën flamurin shqiptar (pa yllin komunist) dhe u futën në qendër, së bashku me një grusht profesorësh. Rojet kthyen mbrapsht shumë të tjerë për shkak të mungesës së hapësirës. Ata mbyllën derën dhe një student e mbajti çelësin me vete në papafingo, ku organizatorët kishin fshehur disa thika, hanxharë dhe pistoleta të ndryshkura nga Lufta e II-të Botërore, më shumë për simbolizëm se sa për përdorim praktik.
“Prindër, vëllezër dhe motra”, thoshte një deklaratë sfiduese e komitetit organizator të studentëve. “Me vendosmëri por dhe pa dhimbje ne ju themi se nuk do të kthehemi si përherë në vatrat familjare. Nuk do të kthehemi as në mbrëmje. Ndoshta do t’ju mungojmë për ditë me radhë dhe jemi të bindur që kjo mungesë do t’ju bëjë juve krenarë”58.
Orët e fillimit ishin me hare. Grevistët vërtiteshin në sallë, pinin cigare, luanin me letra dhe kërcenin me muzikën e ABBA-ve dhe Dire Straits-ave. Disa kishin lidhur rripa koke, si pilotët kamikaze. Në mur dikush shkruajti me germa të kuqe: “Enver = Hitler +Stalin + Al Kapone +Pol Pot”. Studentët ndanin me njëri-tjetrin një ndjenjë pikësynimi dhe solidariteti. Pastaj, policia bllokoi Qytetin Studenti.
“Orët e para ishin me entuziazëm, mund të thuash edhe euforike”, kujtoi Edvin Shvarci, një nga studentët e grevës së urisë. “Ama, kur u vu bllokimi, ra një heshtje e rëndë”.
* * *
Atë natë Komiteti Drejtues i PD-së u mblodh për të diskutuar krizën. Anëtarët vendosën të takoheshin me Presidentin Alia, siç kishin bërë disa herë rresht gjatë dy muajve të kaluar, dhe zgjodhën katër veta për këtë punë: Sali Berishën, Azem Hajdarin, Eduard Selamin dhe Preç Zogajn. Alia pranoi të takohej menjëherë.
Delegacioni e gjeti Alinë gjakftohtë në gjendje nervoze, kujtuan veç e veç nga njëri-tjetri Selami dhe Zogaj. Ai ishte tip i fiksuar pas kontrollit dhe mërzitej kur gjërat dilnin jashtë kontrolli. Ndërsa ata po hynin në zyrën e presidentit, ai po fliste me zë të lartë në telefon me shpinën e kthyer derës, duke kërcënuar të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. “Nuk do ta lë Shqipërinë të bjerë në kaos”, po bërtiste ai në telefon. Anëtarët e PD-së u tronditën, duke pandehur se Alia po i jepte urdhra ushtrisë. Alia mbylli telefonin dhe, duke u kthyer drejt vizitorëve, u dha dorën. Ata u ulën dhe vunë re se në dhomë ishte edhe një burrë tjetër: Sabri Godo, kreu i partisë së vogël republikane, që ishte krijuar pas PD-së, dhe siç mendon shumëkush, sipas udhëzimeve të Alisë. Alia u kthye drejt Godos dhe e pyeti nëse kishte dorë në grevën e studentëve.
“Jo”, tha Godo.
“Po ju?”, pyeti Alia përfaqësuesit e PD-së.
“Po, kemi”, u përgjigj Hajdari.
Atëhere shkoni te studentët dhe merruni vetë me ta, tha Alia. Përndryshe do të jeni ju përgjegjës për pasojat. Ai i kërkoi PD-së të përdorte ndikimin e saj te studentët për t’i nxjerrë ata jashtë grevës dhe t’i bënte të braktisnin kërkesën e tyre për ndryshimin e emrit të universitetit. Vetëm parlamenti mund ta ndryshonte emrin, këmbënguli ai. Studentët dhe profesorët duhet të mbanin një referendum, siç kishte propozuar PD-ja, dhe parlamenti do t’i bindej rezultatit.
Vizitorët e PD-së thanë se referendumi nuk përmbushte kërkesat e studentëve dhe se ata nuk i bindnin dot studentët për të dalë nga greva. Atë moment, burrat u habitën kur panë Ministrin e Arsimit, Gjinushin, të hynte në zyrë nga një derë që nuk binte shumë në sy e cila, siç e morën vesh ata kur erdhën në pushtet pas një viti, çonte në korridor dhe tek një banjë presidenciale. A kishte qenë aty këshilltari i Alisë gjatë gjithë asaj kohe?
Si kompromis, Gjinushi finok propozoi që qeveria të “riorganizonte” universitetin në katër pjesë, dhe si pjesë e atij riorganizimi, të ndryshohej emri zyrtarisht. Anëtarët e PD-së ranë dakord që t’ua paraqisnin atë ide studentëve.
Rreth orës 14.00, delegacioni i PD-së shkoi te studentët grevistë, që po flinin, rrinin mbi batanije ose luanin me letra. Përgjigja e tyre ndaj propozimit të Gjinushit ishte një “jo” e prerë. Qeveria duhej të deklaronte heqjen e emrit Enver Hoxha, kërkuan ata. “Mos përdorni studentët për të bërë kompromise që ju ndihmojnë juve për të fituar zgjedhjet”, tha një student ndërsa po dilnin jashtë udhëheqësit e PD-së.
Për dy ditë, studentët mbijetuan me ujë dhe cigare, megjithëse disa pranuan ushqimet dhe pijet që futën brenda përkrahësit. “Asnjë prind në Tiranë nuk do ta linte ta merrte uria fëmijën e tij”, tha Gonxhe. Jashtë u mblodhën mijëra njerëz për të shprehur mbështetjen e tyre. Punëtorë të Tiranës dhe minatorë nga malet mbajtën fjalime. Njerëzit ecën me këmbë për më shumë se 50 km nga Kavaja në Tiranë. Ditën e tretë, një student në grevë pati një krizë epilepsie dhe një ekip mjekësor e nxori me barelë, megjithëse disa ish-studentë më thanë se inskenuan krizën e tij për të mobilizuar mbështetje. Duke qenë tashmë e zemëruar dhe nervoze, turma nisi të hidhte parulla. Një aktore me emrin Rajmonda Bulku mori mikrofonin dhe u kërkoi grave në turmë të marshonin. “Le të shkojmë para televizionit, nëna dhe motra”, tha ajo, sipas regjistrimit me video të asaj dite. “Le të mblidhemi dhe të bëjmë një marshim proteste në solidaritet me shokët ose fëmijët tanë, me vëllezërit dhe motrat tona”.
Gratë në turmë filluan të lëviznin.
“Turma ishte tmerrësisht e tensionuar”, kujtoi Bulku në një intervistë që dha në përvjetorin e dhjetë të grevës. “Pritej nga momenti në moment që diçka do të ndodhte. … Ajo turmë, donin që t’u thoje diçka që t’i lëvizje”60.
Gratë marshuan dhe u ndoqën nga burrat. Currili u shndërrua në përrua dhe shpejt, një lumë i tërbuar rrodhi nga Qyteti Studenti drejt rrugës së Elbasanit, duke kaluar pranë Liceut Artistik, atje ku policia kishte bllokuar studentët më 9 dhjetor. Kamionët e gjelbër të policisë me zorrë dhe cisterna uji i bënë marshuesit qull me ujë, duke i detyruar ata të kalonin para ndërtesës së radiotelevizionit shtetëror, pas muzeut të Hoxhës te piramida dhe në bulevard. Sampistët dhe topat e ujit prisnin atje për të mbrojtur Bllokun e shenjtë ku jetonte udhëheqja politike dhe për ta ndërruar drejtimin e turmës në Bulevard dhe në Sheshin Skënderbej.
Veprimi i policisë ishte një manifestim fizik i strategjisë politike të Alisë që nga viti 1989. Dëshira e shqiptarëve për ndryshim ishte rritur si valë deti dhe nuk kishte mur që mund ta përmbante atë forcë. Në vend që të ndërtonte një mbrojtje të padobishme. Alia e kanalizoi rrjedhën në zona ku mund të drejtohej dhe kontrollohej.
Forcat e sigurisë prisnin në shesh. Mijëra protestues vërtiteshin atje, disa duke gjuajtur me gurë, ndërsa kishin ndërmend Sheshin Tien An Men, ndërkohë që shihnin statujën gati dhjetë metra të lartë të Enver Hoxhës, që ishte ende më e lartë ngaqë rrinte mbi një piedestal graniti, duke u ngritur lart si rrufepritësja në fortunë.
Turma u shtua, u spraps nga policia, por u shtua prapë, duke e rritur vetëbesimin me rritjen e madhësisë së saj. Krenar dhe i vendosur, Hoxha vështronte mbi shesh duke pasur të veshur një kostum dhe pallto të gjatë, me dorën e majtë pas shpine dhe të djathtën anash vetes. Turma shtyu përpara. Një djalë u kacavor tek palltoja e Hoxhës dhe hodhi një kavo metali rreth gishtit të madh të dorës së diktatorit. Njerëzit tërhoqën nga e majta, kurse të tjerë tërhoqën nga e djathta, dhe trupi i Udhëheqësit nisi të anohej nga njëra anë tek tjetra. Pak pas orës 14.00, ai u shkëput nga bazamenti i tij dhe u përplas në tokë, nga ana e majtë e Hoxhës, gjë që ishte krejt e parashikueshme.
*Shkëputur nga libri “Shqipëria e Re”
TemA