Historiani Pëllumb Xhufi i ftuar në “Shqip” nga Dritan Hila në Dritare TV komentoi zgjedhjet lokale në 14 maj në Shqipëri. Xhufi i cilësoi si zgjedhje në kohë kolere, nga një parti të mbetur pa kauza dhe në një kohë kur vendi është në gjendje depresioni.
“Zgjedhje në kohën e kolerës janë këto, një Partinë Demokratike, që ka mbetur tashmë një parti pa kauza, në një vend në gjendje depresioni.
Sidomos pas 10 viteve qeverisje pa ndryshime as te ministrat. Por këtë sistem e kanë krijuar vetë të dy zoti Rama dhe Berisha.
Janë të dy përgjegjës për ndryshimin e kushtetutës në 2008-ën dhe ndryshimet e ligjit zgjedhor, i cili santifikon rolin e kryetarëve të partisë, të cilët zgjedhin gjithçka dhe që të hysh në politikë duhet të kesh dyfishin e parave të gjetura në tubin e sobës nga pastruesja që vodhi.
Një nga gjërat që do ta kisha pritur nga Rama për risitë që solli në qeverisje ishte që t’i kthehej kushtetutës dhe t’i kthehej duke pranuar gabimin, ashtu si ka bërë një lider tjetër i Partisë Socialiste. Ne jemi në një depresion politik dhe nuhas gjëra të këqija dhe të rënda”, tha Xhufi.
Xhufi i njohur një meritë Lulzim Bashës, duke u shprehur se ish-kreu i Partisë Demokratike hoqi nga froni Sali Berishën.
“Lul Basha ka bërë atë që se ka bërë njeri, se hoqi Sali Berishën. Po kush është sot Lul Basha? Ai dha dorëheqjen zyrtare pasi dha një shërbim të jashtëzakonshëm vendit. Ai hoqi nga froni Berishën që nuk kishin guxim ta bënte as kundërshtarët e tij. Me vendosmëri kapi momentin, i mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar dhe e hoqi nga froni Berishën.”, tha Xhufi.
/a.r