Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë për të luftuar inflacionin ka dhënë efekt të drejtpërdrejtë tek kreditë dhe depozitat e qytetarëve.
Në raportin e tremujorit për politikën monetare shprehet se kreditë për individët pësuan rritje të fortë të normave, që rezultoi mesatarisht 8% në tremujorin e katërt të vitit, nga 6.7% në gjysmën e parë të vitit.
Rritja më e fortë ka ndodhur në kredinë hipotekare sipas bankës, ndërsa interesat e kredisë konsumatore kanë qëndruar në nivele më të ulëta mesatarisht 7.6%. Edhe pse interesat për të blerë shtëpi me kredi rriten, çmimet vazhdojnë të rriten, sipas indeksit Fischer i publikuar po nga Banka e Shqipërisë, duke ngritur dyshime mbi financimin e tyre.
Normat më të ulëta në euro po rrit nivelin e kredive dhe depozitave në këtë valutë, gjë e cila shkon përtej politikës së deeuroizimit që po ndiqet nga tre institucione në vend për të ulur varësinë e ekonomisë nga euro.
Sa i përket depozitave, interesi mesatar arriti 1.5% në tremujorin e katërt nga 0.6%. Ndërsa, depozitat në euro shënuan interes mesatar 0.7%.
Ndërkohë, normat për letrat me vlerë të qeverisë, si obligacione dhe bono thesari, pas rritjes së fortë që pësuan në periudhën korrik-nëntor të vitit, kanë filluar të reduktohen, në kushtet kur tregu pret që inflacioni të zbutet në periudhat e ardhshme.
/s.f