Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar të dielën mbrëma në Elbasan. Sipas asaj që njofton policia, pas informimit se në orët e vona të natës së mbrëmshme mund të ndodhte një ngjarje e rëndë kriminale, u shtua prezenca në terren.
Pas kontrolleve të kryera, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, është gjetur një automjet tip “BMË X6”. Brenda këtij automjeti njoftohet se u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidonë me benzinë.
Po në vijim të kontrolleve, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë sekuestruar një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.
Në vendngjarje ndodhet një grup i posaçëm hetimor dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore dhe po vijohet puna për të bërë të mundur fiksimin e provave në vendngjarje, hapjen dhe kontrollin e automjetit.
Për rastin në fjalë janë shoqëruar disa persona.
Njoftimi i policisë
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kanë marrë informacion se në orët e vona të natës së mbrëmshme mund të ndodhte një ngjarje e rëndë kriminale.
Bazuar në këtë informacion, Policia ka shtuar prezencën në terren, ka ngritur pika kontrolli dhe ka ushtruar kontrolle intensive në disa objekte të cilat dyshohet se shërbenin për fshehjen e sendeve dhe mjeteve me të cilat mund të kryheshin veprimtari kriminale.
Shërbimet e Policisë morën informacion se si pasojë e presionit të Policisë në terren, shtetasit që do të kryenin ngjarjen kriminale dyshohet se kishin fshehur automjetin që do të përdorej për kryerjen e krimit.
Në këtë kuadër, si rezultat i kontrolleve të shumta të kryera në terren, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, është gjetur një automjet tip “BMW X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë).
Po në vijim të kontrolleve, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë sekuestruar një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.
Në vendngjarje ndodhet një grup i posaçëm hetimor dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, të cilët në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësëor Elbasan, vijojnë punën për të bërë të mundur fiksimin e provave në vendngjarje, hapjen dhe kontrollin e automjetit.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë shoqëruar disa shtetas, dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Veprimet janë në vijim dhe në përfundim të tyre, do të ketë një informacion përfundimtar.
Policia e Elbasanit kërkon mirëkuptimin e medias që në lidhje me këtë ngjarje, për shkak të rëndësisë dhe konfidencialitetit të hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, të mos japin informacion të pakonfirmuar, por të presin rezultatet e hetimit intensiv që po kryhet nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
/a.r