-Lëkundje tërmeti në zonën jugperëndimore të vendit Një tërmet me magnitudë 3 ballë është ndier gjatë orëve të para të ditës së enjte në qytetin e Vlorës, atë të Fierit, të Durrësit madje edhe në kryeqytet.
Sipas të dhënave të Qendrës Sizmologjike Europiane, epiqendra e tërmetit ka qenë në detin Adriatik, rreth 34 kilometra në jugperëndim të qytetit të Vlorës.
Tërmeti i parë është shoqëruar edhe nga disa lëkundje më të lehta. Nuk ka të dhënë për dëme materiale.
Rreth 30 minuta para lëkundjeve të regjistruara në qytetin e Vlorës, ishulli i Kretës në Greqi është goditur nga një tërmet më i fuqishëm, 4.7 ballë, por pa shkaktuar persona të lënduar apo dëme materiale.