Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është takuar këtë të shtunë në Mynih, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell në kuadër të Konferencës për Sigurinë.
Vuçiç është shprehur se gjatë takimit, është biseduar për vazhdimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, shkruan Euronews Serbia.
“Një bisedë e hapur me Joseph Borrell në përgatitjen për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Serbia është kundër vendosjes së sanksioneve kundër Federatës Ruse. Bisedimet do të vazhdojnë së shpejti”, shkroi presidenti serb në rrjetet sociale.
Gjithashtu, Vuçiç nënvizoi se në Mynih është takuar edhe me liderë të tjerë evropiane, ku temë diskutimi, ka qenë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
“Ne folëm për dialogun me Prishtinën, marrëdhëniet tona politike dhe ekonomike. Mendoj se i kemi përfaqësuar mirë interesat e Serbisë dhe njerëzit duhet ta dinë se nuk ka lajme epokale dhe nuk mund të ketë. Kemi hasur në respektin e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Britanisë së Madhe”, u shpreh ai.