Miratimi i ndryshimeve kushtetuese për të ashtuquajturin dekriminalizim ishte thjesht mbyllja me sukses e njërës anë të medaljes.
Ndërkohë që ekspertët ligjorë të mazhorancës dhe opozitës po punojnë për hartimin e akteve nënligjore, ku një element i rëndësishëm është modeli i formularit të vetëdeklarimit, edhe ky proces ndodhet nën vëzhgimin dhe asistencën e “vëllait të madh”.
“Ne patëm një seancë pune me ekspertë shumë të mirë të Ambasadës së SHBA, të cilët na ofruan modelet e tyre të ngjashme që ndiqen në këto raste”, deklaron deputeti i PS, Taulant Balla.
Balla flet edhe për atë që ai e quan një interpretim të gabuar nëse ligji ka filluar veprimet e veta apo jo. Këtë ai e shoqëron edhe me një paralajmërim.
“Një i zgjedhur apo funksionar publik që ka probleme me të shkuarën e tij, që ka dënime të parashikuara në ligj, të cilat e bëjnë të papajtueshëm pozicionin e tij, sot duhet të japë dorëheqjen sepse ligji ka hyrë në fuqi”, nënvizon nënkryetari i grupit socialist.
Por kur do t’i kalojnë për miratim aktet nënligjore Kuvendit?
“Mendoj dhe shpresoj që në mes të marsit ne t’i kemi gati dhe të hynë në procedurën normale parlamentare. Por, siç e dini, projekt-vendimet dhe më pas vendimet kërkojnë një kohë më të shkurtër sesa ligjet. Flas për të gjithë kohën parlamentare që kërkon procedura”, thotë më tej Balla.