Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë ka organizuar sot ne mbrëmje një pritje me personalitete shtetërore me rastin e 8 vjetorit të festës së Pavarësisë.
Në pritjen e organizuar në hotel ‘Rongner’ kanë marrë pjesë drejtues të lartë të shtetit shqiptarë, si Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Gjithashtu merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
I ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci, gjatë fjalës së tij e quajti si një moment mjaft të veçantë 8 vjetorin e Pavarësië së Kosovës. “8 vjet më parë në këtë ditë falë dhe mbështetjes së vendeve europiane dhe SHBA, Kosova u shpall e Pavarur”, tha Lladrovci.
Ai u shpreh se, Pavarësia e Kosovës e ka bërë Rajonin më të qëndrueshëm.
“Kosova me Shqipërinë ndajnë politika të përbashkëta, të cilat që prej janarit 2014, kanë njohur një thellim më të madh pas nënshkrimit në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Prizren të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Strategjik”, tha Lladrovci.
“17 vjet liri e 8 vjet Pavarësi nuk janë shumë në historinë e një shteti, megjithatë ne kemi kapërcyer sfida të mëdha në procesin e integrimit europian. Ne jemi të gatshëëm të bashkëpunojmë për të ardhmen e Kosovës me partnerët tanë”, tha Lladrovci.
Më 17 shkurt të 2008-ës Kosova shpalli pavarësinë e saj, duke qene sot shteti më i ri i Ballkanit dhe është njohur nga 108 shtete.