“Efharisto poli file” (Shumë faleminderit mik), shkruan gazeta turke Hurriyet në faqen e saj të parë, duke falënderuar Greqinë për solidaritetin pas tërmetit shkatërrues që vrau më shumë se 37 mijë njerëz.
“Ekipi grek i shpëtimit (EMAK) prej rreth 50 personash, të cilët qëndruan në Turqi për një javë, u mirëpritën në Greqi si heronj”, shkruante Hurriet, duke përshkruar “klimën e krenarisë, por edhe lavdërimet për solidaritetin dhe humanizmin që morën shpëtimtarët”.
Në të njëjtin botim turk, citohet deklarata e kreut të Njësisë Speciale Greke të Reagimit ndaj Fatkeqësive të EMAK-ut, Dimitris Roupa, i cili tha: “Ne bëmë gjithçka që do të bënim në vendin tonë, as më shumë e as më pak”.
Shpëtimtarët grekë ndodheshin në Antioki deri të dielën dhe pak orë para përfundimit të punës së tyre, pranuan kërkesën e të afërmve të një 24-vjeçareje të bllokuar për të ndërmarrë një operacion tjetër, në një pallat në Hatay.
Ditët e fundit disa raportime në mediat turke flasin për “solidaritetin e Greqisë” dhe siç shkruante “Jumhuriet”, ministri i Jashtëm turk mirëpriti Nikos Dendias në Adana duke theksuar se “do të bëjmë përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona përmes dialogut. ndërsa komenton se “në ditë kaq të vështira shihen fqinjët e mirë”.
Mevlut Çavusoglu, në një takim që pati me homologun e tij izraelit Eli Cohen, po ashtu u shpreh se shpreson që “solidariteti ynë gjatë këtij tërmeti të jetë vendimtar edhe për hapjen e një faqeje të re me Greqinë. Prandaj, si të gjitha vendet e rajonit, ne duhet të vazhdojmë të punojmë për stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe paqen e rajonit tonë”.
/s.f