Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur në selinë blu. Në nisje të mbledhjes, fjalën e ka mbajtur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili është shprehur se PD-ja do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Gjatë fjalës së tij, referuar vendimit që pritet të marrë Gjykata e Apelit lidhur me fatin e PD-së, ka paralajmëruar duke thënë se ata që duan t’i përjashtojnë, do të përballen me ato.
Sali Berisha:Revolucioni ka një dimension tjetër, po kaq të rëndësishëm, po kaq jetik: dimensionin elektoral. Sepse bëhet çdo gjë që të grabiten zgjedhjet, të plaçkiten zgjedhjet. Ne duhet të qëndrojmë ndaj çdo akti, ndaj çdo veprimi, ndaj çdo përpjekje të shkelmimit të ligjit të zgjedhjeve. Ne nuk i bojkotojmë zgjedhjet. Përpjekja për të përjashtuar PD-në nga zgjedhjet është etapa e tretë e skenarit të të njëjtëve autorë. Por absolutisht do marrin përgjigjen e merituar. Sepse çdo vendim, përveç vendimit që është marrë, është i paligjshëm. Nuk ka asgjë më të paligjshme se shpallja palë e atij që nuk është palë. Ne kemi vendimin e gjykatës, ata që duan të na përjashtojnë ne, do përballen me ne. Kjo është e gjitha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha iu ka thënë anëtarëve të Kryesisë së PD-së se rezistencën në Parlament duhet ta shumëfishojnë teksa ka thënë se nuk e dorëzojnë Parlamentin.
Sali Berisha: Demokratët nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga zgjedhjet, as të dorëzohen. Ky është revolucion. Unë e kuptoj se ky term ngjall debat. Por në rast se një vendi, me forca madhore, i shkatërrohet pluralizmi, si mund ta rivendosë ai? Ai është një akt kundër-revolucionar, ky është revolucion. Ai është grusht shteti kundër pluralizmit. Ne jemi në të drejtën tonë dhe ne i injorojmë këto. Marrim vetëm qëndrimet e parlamentit: a mund të veprohet në një parlament siç vepron Edi Rama me Lindën e tij kryetare? Në mënyrën më të turpshme dhe të padenjë. Ndaj dhe ne rezistencën në parlament duhet ta shumëfishojmë. Nuk e dorëzojmë ne parlamentin. Nuk kemi autoritet për të dorëzuar parlamentin. Ne përfaqësojmë 750 mijë zgjedhës. Kështu që thashë të bëjmë këtë mbledhje, të përcaktojmë detyra më konkrete dhe të vazhdojmë betejën në të gjitha planet.
/a.r