Lusi dhe Mario, janë një çift shqiptaro-italian i cili jeton në Itali dhe kanë një histori dashurie të veçantë. Ata janë njohur në vitin 2019 kur Lusi shkoi në Itali për të punuar e ndihmuar Marion, i cili ndodhet në një karrige me rrota. Në një lidhje Skype me programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, çifti përmbledh në vija të përgjithshme historinë e tyre.
Lusi: Unë dhe Mario jemi njohur në fillim të 2019 për punë. Mario kërkonte një person që ta ndihmonte, unë kërkoja punë dhe Mario sikur çdo mashkull, çdo djalë, pas 2 muajve që unë kam punuar për të, filloi pëlqimin, atë dëshirën që kishte për të nisur diçka më shumë se vetëm punë dhe kështu nisi dashuria jonë. Unë nuk ia dhashë direkt përgjigjen, mendova, fola me familjen time se çfarë mendojnë për gjithçka, pastaj ja, u fejuam.
Katerina Trungu: Atëherë nisi gjithçka, atëherë nisi historia juaj që natyrisht vazhdon dhe rritet dita-ditës. Meqenëse më the që fola me prindërit, ishte një hap që ti ke hedhur dhe e veçon në historikun tuaj, si ishte kjo bisedë, çfarë kishte në përmbajtjen e saj dhe cila ishte përgjigjja?
Lusi: Meqenëse familja ime e dinte që unë punoja për Marion, i them që Mario ka shprehur një pëlqim kundrejt meje dhe çfarë mendoni ju. Përgjigjja e familjes time ishte është jeta jote, mund të vendosësh ti dhe kështu kam marrë atë okej-in edhe nga familja, por isha unë ajo që duhet të vendosja për jetën time kështu që jam e lumtur për atë zgjedhjen që kam bërë.
/a.r