Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, e nisi vizitën e tij në Shqipëri me një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Krebashkiaku dhe Kryeministri Söder ishin në sheshin “Strauss”, i cili ka marrë emrin e atit të Bavarisë moderne, Franz Josef Strauss.
Veliaj vlerësoi kreun e qeverisë bavareze, sidomos për marrëveshjen për sigurimet shoqërore, që po ndihmon qytetarët shqiptarë që jetojnë atje të përfitojnë vitet e plota të pensioneve, marrëveshje që ka nisur prej kohës kur Veliaj drejtonte Ministrinë e çështjeve Sociale.
“Dua të falënderoj Shkëlqesinë e Tij, sepse u bënë disa vite që kur jemi takuar, dhe herën e fundit ai nënshkroi Marrëveshjen e Sigurisë Sociale, përmes së cilës, kryesisht për shqiptarët në Gjermani, por gjithashtu edhe për gjermanët këtu, të mund t’u njihen kontributet e kombinuara të pensioneve të tyre. Në atë kohë ai premtoi se do të vizitonte Tiranën, çka qartësisht nuk ishte një premtim politik, por një premtim i çiltër, të cilin e mbajti sot. Ndaj, jam i lumtur që ai ndodhet këtu”, u shpreh Veliaj.
Nga ana e tij, Kryeministri Söder theksoi se Bavaria e mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe tha se mes dy vendeve do rriten shkëmbimet ekonomike. “Ne besojmë fuqishëm se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është shumë i rëndësishëm. Gjithnjë e më shumë duam të kultivojmë shkëmbime ekonomike, si në aspektin e investimeve, ashtu edhe të njerëzve që duan të punojnë me ne. Ekonomia jonë ka interes për investime, por edhe interes për trajnimin e punëtorëve të kualifikuar, që më pas mund të përdoren nga të dyja palët në Shqipëri dhe në Bavari, në mënyrë që të krijohet një lidhje krejt e re,” u shpreh ai.
Söder ka nisur një tur në të gjithë Ballkanin ku ndalesa e parë ishte Rumania për të vijuar pasditen e sotme me Tiranën zyrtare./m.j