Apple ka reaguar pas një urdhri gjyqësor për t’i ndihmuar hetuesve të FBI-së që të fitojnë qasje në të dhëna në telefonin që i përkiste sulmuesit të San Bernardinos, Syed Rizwan Farook. Gjigantit teknologjik i është thënë t’i ndihmojë Zyrës Federale të Hetimeve që të mënjanojë një sistem të sigurisë në iPhone-in e Farookut, që FBI ka thënë se përmban informata të rëndësishme. Nëpërmjet një komunikate, shefi ekzekutiv i Apple-it ka thënë se “qeveria amerikane ka kërkuar që Apple të ndërmarrë një hap të paprecedentë që kërcënon sigurinë e konsumatorëve”, përcjellë Gazeta Blic. “Ne e kundërshtojmë këtë urdhër, i cili ka implikime përtej rastit gjyqësor në shqyrtim”, ka deklaruar Tim Cook. Që nga shtatori i 2014-s, të dhënat në pajisjet e fundit të prodhuara nga Apple, si mesazhet tekstuale dhe fotografitë, kodohen në mënyrë automatike.