Nga Ben Andoni
Përpjekja e sotme e opozitës dhe e zërave të shoqërisë civile për të gjetur gabime te maxhoranca e sotme socialiste vjen si një nevojë dëshpëruese për ndryshim. Ndonëse akuzat e opozitës mëtojnë të shtohen prej realiteteve zhgënjyese të qeverisë, kurse ngado ka një klimë mosbesimi, administrata Rama vazhdon sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Në një qasje normale për ta kuptuar këtë model, shumëkush e kupton mirë se: epërsia e PS-së vjen nga mobilizimi i makinës së saj elektorale në kohën dhe vendin e duhur për sa i përket mbetjes në pushtet. Që do të thotë se manovrimet e zgjuara e bëjnë të gjithë masën socialiste të përgjigjet si duhet përballë një opozite krejt të shkërmoqur dhe me ide të vagullta e shpesh të improvizuara. A mos është vallë ky vetëm rasti shqiptar i demokracisë? Shumë nga analistët amerikanë tashmë fajin e këtij niveli të demokracisë në vendin e tyre ia përcjellin kushteve dhe realiteteve të tyre të brendshme. “Për të shpjeguar prejardhjen dëshpëruese të politikës dhe qeverisjes amerikane në paralizë të madhe, konflikte dhe mediokritet të plotë, është e vështirë të mos pyesim veten nëse shumë nga të këqijat tona vijnë nga mangësitë e brendshme të vetë modelit demokratik – të metat e dizajnit të demokracisë, nëse do duash ta quash kështu”, shkruan hidhur Thomas Carothers, bashkë-drejtor i Programit Carnegie’s Democracy, Conflict and Governance. Dhe, në vërejtjen e tij tregon arsyen se pse kaq shumë demokraci të tjera po hasin probleme të ngjashme ndërsa autoritarizmi duket se po gëzon deridiku një rritje globale të vetëbesimit. Si rezultat, jo vetëm që dyshimet për demokracinë po dëgjohen shumë më e më shpesh sesa një dekadë ose dy më parë, po ashtu njësoj vinë edhe zërat që argumentojnë se regjimet autoritare mund të jenë në disa raste më të afta dhe më efektive për…zhvillime afatgjata.
Po argumenti ynë shkon në realitetin se pse është e vështirë në demokraci për plane afatgjatë?! Rama sugjeroi në fjalimin e fitores se pak viteve më parë se ishte i gatshëm për bashkëpunim me opozitën, por kjo mbeti në kalenda pasi ky lloj bashkëpunimi tashmë është krejt i pamundur, qoftë se flamurin e opozitës e mban Berisha por edhe se Rama nuk preferon t’i dedikohet bashkëpunimit me një grup që vetëm baltos, sipas tij. Në këtë logjikë, një lëshim që mund të bënte maxhoranca dhe që lidhej me përafrimin e datës së zgjedhjeve nuk u bë, kurse lloji i diskursit që përplaset mes pozitës dhe opozitës të ndarë frikshëm nuk lë më asnjë shteg bashkëpunimi. Tashmë dhe me furinë e Charles McGonigal, ku të gjithë palët janë në pritje të asaj që do zbulojë drejtësia amerikane, lidhur me implikimet e tij e bën çdo gjë të prehet ashtu si vite më parë në një stanjacion dhe debate artificiale për dikotominë tonë mik-armik. A ka sukses me këtë lloj politike Rama për jetën e formacionit të tij politik apo thjesht autoritarizmi i tij është më efikas në kushtet e Shqipërisë dhe mund ta ndihë edhe në projeksione të gjata?! Edhe pse flitet për të ardhmen, që nënkupton deridiku planet afatgjata, e gjithë politika shqiptare, dhe jo vetëm ajo në Ballkan, ngërthehet në mbijetesën në planet afatshkurtëra. E shikon njëkohësisht në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe në Serbi. Ku pjesën më të madhe të debatit publik për politikën e zenë banalitetet politike dhe kundërshtitë boshe ndaj partive kryesore, anatemat për ndërhyrje nga jashtë, si nga Rusia dhe nga Kina, por kurrë zhvillimet afatgjata për interesa të vendit. Shqipëria, ndryshe nga shumë vende, iu kushtua një projekti afatgjatë për Drejtësinë (krejt i domosdoshëm për atë nivel të frikshëm korrupsioni), që megjithëse u nis mirë me 140 kartonat e parlamentit ka lënë boshllëqe të shumta në jetën e vendit, kurse disa sinjale pozitive, nuk është se po i shërbejnë aq shumë deri më tani. Reformat e detyrimit të pagesave të publikut dhe masat që ndërmori qeveria në fillim të mandatit të parë kanë qenë nga gjërat e mira të qeverisë Rama, por që u lanë pastaj me amnistitë për kundravajtësit potentë, ashtu si lufta e fillimit ndaj qendrave sfiduese të hashashit, por që paradoksalisht na përcollën në hapësira të tëra me hashash dhe Shqipërinë e sotme që është gati simbol si eksportues dhe tranzitues i drogave të forta.
Por të mbetemi në temën tonë për planet afatgjata dhe pse kjo lloj demokracie, si tek ne, nuk ndihmon! Një nga çështjet, ku Shqipëria dhe zyrtarët e saj janë duke qëndruar gjithnjë e më shumë indiferentë është ajo ndaj ndryshimeve klimatike, sfida kryesore pas Luftës Rusi-Ukrainë. Ose duke folur më konkretisht, paçka se përmbytjet gjatë dimrit dhe sidomos zjarret në periudhën e verës janë bërë dërrmuese për buxhetin e vendit, për ato pak punohet. Në dimër dhe verë kupton se buxhetet që merren me këto problematika janë minore dhe përgjegjësia shkon e vjen vertikalisht me rakurs. “Ndryshimet klimatike demonstrojnë qartë sfidën e gjetjes së vullnetit politik për të ndërmarrë hapa seriozë afatshkurtër për të adresuar një problem afatgjatë. Demokracitë perëndimore padyshim që po luftojnë të përgjigjen në mënyrë adekuate. Megjithatë, kjo nuk duket të jetë një mangësi veçanërisht për demokracitë. Një studim sistematik i kohëve të fundit që krahason politikat e ndryshimeve klimatike të demokracive me ato të autokracive, zbuloi se demokracitë kanë ecur pak më mirë në përgjithësi”, shkruan Thomas Carothers, në shkrimin e sipërpërmendur, duke na dhënë një indikacion sesi demokracia e vërtetë është më afër problematikave në vend. Dhe, duhet ta theksojmë, pasi gjithnjë e më shumë ekspertë të ndryshëm të shoqërisë civile dhe sidomos Banka Botërore po ndihen në Shqipëri. Erozioni që ishte një fenomen që dikur po apelohej, pasi pati shumë raste rrëshqitjesh në vend; gllabërimi nga ujërat e vijës bregdetare në 427 kilometra pothuaj të ¼ të perimetrit përballet me këtë fenomen…Sistemi ynë shëndetësor që megjithë një përpjekje të madhe të ekzekutivit dhe të lavdërueshme në kohën e COVID-19 kryesisht të Ramës, nuk tregon se mund të përballë sfidat e të nesërmes që lidhen me pandemitë e reja, që po na kërcënojnë, sipas parashikimeve të personaliteteve të ndryshme botërore. Ndërkohë energjia jonë është pothuaj e varur krejtësisht nga burimet hidrike, një problematikë shtesë kur mendon thatësirën e zgjatur në vend në vitet e fundit.
Duke iu drejtuar edhe njëherë shembullit të demokracisë më pasqyruese në botë, SHBA-së, rezistenca e fortë e administratës të SHBA-së dhe e shumë senatorëve dhe përfaqësuesve të lartë republikanë për të adresuar çështjen në nivel federal nuk ishte kryesisht rezultat i një termi të shkurtër demokratik endemik (2019). Ai pasqyronte disa tipare dalluese të politikës së SHBA-së – mbi të gjitha, neverinë ideologjike nga ana e shumë konservatorëve amerikanë ndaj çdo roli rregullator të shtuar të qeverisë federale (!!), sqaron Thomas Carothers. Që po ashtu na jep një shenjë të kuptohet edhe pse autokracitë apo maxhorancat e sotme ballkanike po e vuajnë në një sens krejt tjetër. Është krijimi i iluzioneve mirëfilli dhe gjoja planifikimit të tyre ekonomik afatgjatë. Rama shpesh të habit me planet e tij, që duket se janë thjesht skajorë e shumë ekzotikë, e këtu të vinë në kujtesë shembuj të propozimeve të kryeqytetit të ri të Egjiptit në Nil apo etja e Arabisë Saudite për vend-pushimet luksoze. Apo investimet e Kinës në sistemet infrastrukturore afatgjata, që Carothers e lidh me “kërkimin e qirasë nga zyrtarë të korruptuar lokalë, të cilët në mënyrë të ngjashme kanë krijuar qytete boshe dhe autostrada për askund”.
Ndërkohë, një realitet i hidhur është para syve tanë, ku në vend të rezultatit të përmirësuar në vitin 2016-2017, kur vendi pati përmirësime domethënëse në demokraci dhe mbështetjen në zbatimin e ligjit, tashmë gjendemi në një stanjacion. “Shqipëria ka përparuar përsa i përket reformës në gjyqësor (vettingut) dhe forcimit të Strukturës së Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), por këto arritje janë lënë në hije nga kufizimi i hapësirës qytetare. Qeveria ka forcuar kontrollet mbi median, përfshirë fushata baltosje dhe intimidimi, dhe ka bllokuar të dhënat publike dhe llogaridhënien mbi vendimmarrjet, duke u lejuar institucioneve publike që të krijojnë baza të reja ligjore për refuzimin e ndarjes së informacionit, referon Lidija Prokić, “Koordinatore Rajonale për Europën Lindore dhe Jug-Lindore e Transparency International”, shprehet për DW.
Vende si Shqipëria do vazhdojnë të vuajnë shumë nga simptomat e marifeteve të planeve afatshkurtëra dhe kjo e bën qeverinë që në prag të zgjedhjeve të rrisi shpenzimet. Administrata e fryrë, sistemi i tërë i patronazhistëve e bën shtetin të mbajë më shumë këtë sens që të justifikohet edhe kur opozita si në rastin e Shqipërisë nuk e rrezikon aspak. Kurse problemet makro, si ai ngrohjes globale, reformimi i financave publike dhe tregu i kapitaleve, që janë urgjente krahas dhe akoma më shumë problemit të shpopullimit, janë larg agjendave sepse kryesore mbetet fitimi i zgjedhjeve me çdo kusht në planin afat-shkurtër. Kjo ndodh edhe kur për shkak të humbjes së popullaritetit të duhet të shfaqësh sfida jo reale, si në rastin e Ramës për pushtetin gjithnjë e më të madh që mban dhe tashmë nuk po e justifikon dot…. (Homo Albanicus)