Finalja e festivalit të Sanremos, me fitoren e Marco Mengoni, prania e yjeve të muzikës italiane si Gino Paoli dhe Ornalla Vanoni dhe atyre ndërkombëtare si Depeche Mode, letra e Zelensky dhe gjithë polemika rreth puthjes mes Rosa Chemical dhe Fedez ka thyer një rekord audience në historinë e Sanremos. Ky rekord nuk është regjistruar asnjëherë më parë që prej vitit 1995. Nata Finale e Sanremos kishte një audiencë prej 12,256,000 spektatorësh. Një triumf për edicionin e katërt të Amadeus, i shoqëruar këtë vit nga Gianni Morandi dhe një edicion nga polemika të ndryshme politike.
“Ky edicion ishte në përgjithësi më i ndjekuri që nga viti 1995. 5 mbrëmjet kaluan mesataren prej 63.1%. Rikthimi në këtë kuotë pas 30 vitesh është një shifër e jashtëzakonshme”, tha Stefano Coletta , drejtor i Prime Time, gjatë konferencës së fundit për shtyp në Sanremo.
Dhe në lidhje me polemikat e ditëve të fundit, ai komentoi: “Nuk ka Sanremo pa polemika. Unë do të thosha se është një produkt televiziv i ndërtuar gjatë muajve për të folur me ata që shikojnë TV pa asnjë indoktrinim, por duke sjellë produktin më të mirë të mundshëm.
Përveç audiencës, ka edhe një rekord nga reklamat.
“Për herë të parë kemi tejkaluar shifrën prej 50 milionë të ardhurash, një rekord edhe për Rai Pubblicità”, tha drejtori menaxhues Gian Paolo Tagliavia në konferencën për shtyp.
/s.f