Nga Dritan Hila
Qenef-Rama, hale, pervers, monstër, pleh, idiot, mashtrues, kafshë, bastard, na çave trapin, ambasadorë që shkojnë me anëtarë të qeverisë….
Këto janë vetëm disa fjalë të përdorura nga deputetët e PD pa dallim rreshtimi ndaj Edi Ramës. Të krahëve që pavarësisht ndryshimeve kozmetike, të përbashkët kanë shkollën e Sali Berishës që mban etalonin për gjuhën e pistë që ka ndaj kundërshtarëve. Nuk ka rëndësi nëse je femër apo mashkull në atë rreshtim. Ti duhet të kapësh fundin në degradimin njerëzor të përdorimit të fjalorit të pistë, të shpifjes, të makinacionit. Përndryshe kot që rri në atë formacion pasi karrierë nuk bën dot.
Një personazh publik ruan normën e civilizimit edhe përpara një vrasësi serial. Por në shkollën e PD testi i ecjes përpara është qenia vulgar.
Njerëz të veshur me mandat politik, që mendohet të kenë edhe një minimum edukate qytetare, në fakt kur i dëgjon, të duket sikur hap ndonjë pusetë të ujërave të zeza të bllokuar; me fjalor që ngjan me murin e një nevojtoreje publike; me gjuhë trollësi të rrjeteve sociale, që e bën edhe një burgaxhi të duket si murgeshë.
Komunikim skandaloz, aq më tepër kur mendon që këta pretendojnë të jenë ekipi drejtues nëse fiton opozita, nuk jep asnjë shpresë për ndryshim. Shqiptarët janë të lodhur nga Edi Rama që gjithfarë ronxhobonxho gjysmanalfabet që ka bërë para në këto tridhjetë vite, i mban në sqetullën e tij si model të kapitalizmit shqiptar por që vetëm mjelin vendin me pozicione monopol dhe trafiqe influence.
Janë të rrëgjuar duke parë gjithfarë pyke të administratës me tabela policore në kroskot që kanë një agresivitet prej kuçke si në timon, ashtu edhe kur të presin në zyrë. Janë shpresëhumbur kur shikojnë modele Alqi Bllako. Janë të fryrë nga fufat kur shikojnë zara të Samove e Çetëve që bëhen ministra e zëvendësministra dhe modeli i karrierës është pehlivanllëku dhe jo aftësia.
U lodhën duke pritur drejtësinë. Janë të penduar që nuk u morën me trafiqe dhe pisllëqe pasi ky është modeli që respektohet nga shteti dhe modeli që i frikësohet shteti. Por nuk harrojnë që modeli përballë është edhe më i zi. Sepse janë të njëjtët njerëz, gjobaxhinj, kusarë, që krijoi Berisha.
Nuk ka shqiptarë me mend në kokë që mund të votojë këta të çakërdisur që sheh çdo të hënë e të enjte. E nëse mendojnë që mund të përsëritet historia e 2005-ës; se me sharje dhe britma po frikësojnë shqiptarët duke i ngatërruar me Fatos Nanon, i bie që kanë fantazi të shfrenuar.
Shqiptarët nuk kanë ndërmend të provojnë edhe njëherë llumin që vërshoi dikur rrugëve të qyteteve në ‘91-in, kur vrasës, hajdutë kooperativash që ëndërronin të bëheshin policë, pastruese spitalesh të etura për karrierë, të frustruar, përdhunues, plehra dhe llumi i shoqërisë që përdornin pikërisht këtë gjuhë që Berisha e ka bërë shkollë, të vijnë edhe një herë në drejtimin e vendit.
Njerëzit duan një qeveri më të ndjeshme ndaj halleve njerëzore dhe të ardhmes së vendit. Ndaj ca ikin e ca të tjerë janë indiferentë, pasi pikërisht nuk i gënjen mendja që PD e një personazhi që Evropa nuk e do as të kalojë kufirin se i ndot ambientin, është ndryshimi. Ndaj edhe ca që kanë dy pare mend në kokë e dinë që kjo është rruga e greminës dhe me këtë model nuk vijnë dot në pushtet. Ndaj Edi Rama kënaqet kur e shajnë. Kjo është garancia më e mirë e mbretërimit të tij.