Fabula që ndërtoi prokuroria në vitin 2009 është që demontimi ishte një aktivitet kriminal për përfitime dhe qëllime kriminale.
Kjo nuk është e vërtetë. Kështu deklaroi kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha në një intervistë për Euronews Albania ndërsa komentoi çështjen “Gërdeci”.
Ai u shpreh se demontimi ishte një detyrim në interes të sigurisë kombëtare për shkak të mbi 180 mijë ton municioneve që kemi trashëguar nga koha e komunizmit dhe që një pjesë e tyre mund të vetëshpërthenin.
“Unë si ministër në çdo kontakt me partnerët që kam pasur, me ministrat e Mbrojtjes kam shtuar interesin e bashkëpunimit për demontimin,” – pohoi Mediu i cili theksoi se demontimi ishte me një kosto të papërballueshme nga Forcat e Armatosura dhe buxheti.
Mediu tregon bisedën me prokurorin e SPAK-ut
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tregoi në një intervistë për Euronews Albania bisedën me prokurorin e SPAK-ut në momentin që është paraqitur në institucion.
“Unë kur kam qenë, kemi pasur një komunikim shumë normal me prokurorin e SPAK-ut që të jem fare i hapur, nuk kemi pasur debat. Ja kam parashtruar dhe kanë thënë që nuk e kemi parë të arsyeshme, pastaj në një memo që kemi bërë, sepse lamë dhe një kohë për t’u pyetur, por në një kohë që ishte paraqitur akuza dhe memo u refuzua tërësisht sepse ishte e panevojshme çdo lloj opinioni që kishim shprehur dhe unë nuk jam për të bërë qokat formale që duhet të bëjë SPAK-u apo dikush tjetër,” – tregoi Mediu.
“Unë jam për t’i hyrë në thelb çështjes dhe kam menduar që SPAK-u për çdo akuzë që ka ndërtuar, për çdo rresht që ka ndërtuar duhet ta pyeste Fatmir Mediun, t’i thoshte kush është qëndrimi yt për këtë çështje të caktuar se përndryshe ngelet shqyrtimi i gjithë kësaj çështje në gjykatë. Kur ke ndërtuar një akuzë dhe fillon dhe e vë këtë si barrë penale mbi dikë, patjetër duhet të shikosh edhe kush është gjykimi i tij në raport me çështjen,” – përfundoi ai./m.j