Është ngjitur në 22 mijë e 375 bilanci i viktimave të shkaktuara nga tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë ditën e hënë.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, 18 mijë e 991 prej viktimave kanë vdekur në Turqi dhe 3 mijë e 384 në Siri.
Ndërkohë, numri i personave të plagosur në të dyja vendet është ngjitur në rreth 75 mijë.
Teksa ka vizituar disa nga zonat e prekura, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka pranuar se shpërndarja e ndihmave nuk po ecën me shpejtësinë që shpresohej.
Megjithatë, kreu i shtetit ka theksuar se nuk do të lejojë abuzime. “Sinqeriteti ynë mbi këtë temë nuk mund të vihet në dyshim nga askush”, ka thënë Erdogan.
/s.f