Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi konferencën e përjavshme me gazetarët. Kryedemokrati u shpreh se të gjitha variantet janë të mundshme pasi u pyet nëse protestën e 11 Shkurtit do ta udhëheqë PD-ja apo do të udhëhiqet.
Sipas Berishës, tubimi i së shtunës është sipari i një revolucioni dhe do të vijojë deri në triumf. Po ashtu, ai u shpreh se në të ardhmen përveç protestave të tjera do të nisë edhe ajo që e quajti praktika “name and shame”.
Pyetje: Në protestën që do të zhvillohet ditën e nesërme, do të udhëhiqeni apo do ta udhëhiqni protestën?
Sali Berisha: Të gjitha variantet janë të mundshme. Është e hapur. Është sipari i një revolucioni që fillon me protestën e nesërme dhe vazhdon deri në triumf. Do të ketë protesta të fuqishme si e nesërmja, do të ketë protesta të vogla. Do të ketë veprimtari ndaj atij kontigjenti që ne e quajmë “name and shame”, emëroje dhe turpëroje. Se ju e shihni. Këta hajdutë që banojnë midis qytetarëve, këta të paktën një tabelë tek shtëpia do u vihet këtyre, në mure… atyre të cilët SKAP-i i partisë i mbron. Të banosh afër një krimineli elektoral dhe të mos ua vesh etiketën kriminel elektoral pse e mbron SKAP bëhesh bashkëfajtor. Tani do ketë betejë të përgjithshme. Natyrisht kurrë nuk do të etikohet njeri i ndershëm dhe i paimplikuar pavarësisht bindjeve politike, por këta si Erion Veliaj, si puna e kësaj që dihen drejtoresha famoze e AKSHI-t që ka shpenzuar për mbrojtjen kibernetike 200 milionë euro false. 200 milionë Euro tendera sekrete. Ministrat… A e morët vesh historinë e fundit Rama-Balluku? Shpallet tenderi për pistat e garave të makinave në Krastë të Elbasanit. Shpallet sot, krijohet, ndiqen procedurat ligjore siç janë, pas 3 ditësh Edi Rama shpall konkursin, veten kryetar të jurisë, shpall fituesin. 4 kompani botërore duke punuar, duke punuar, duke paraqitur ofertat, paraqitur çdo gjë. Dhe e zeron këtë, thotë këtë e garë e fitoi… Tenderi do edhe 5 javë për t’u mbyllur, por shpall fituesin 3 ditë pas shpalljes së tenderit. Këta kanë humbur çdo lloj sensi. Në këtë rast do fillojë praktika “name and shame”. Emëroje dhe turpëroje. Emërimi ëhtë vetëm një. Hajdut, ke vjedhur. Ta dinë qytetarët që po kalojnë pranë një banese ku ka një hajdut të madh.
/a.r