Profesori turk, Övgün Ahmet Ercan, ka këshilluar banorët që jetojnë në zonat me rrezik të lartë, pas tërmeteve shkatërruese në juglindje të Turqisë dhe veri të Sirisë të jenë vigjilentë ndaj tërmeteve që mund të ndodhin.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, profesori u bën thirrje qytetarëve që të marrin masa paraprake, në mënyrë që të kuptojnë sa më shpejt të jetë e mundur që po ndodh tërmet.
Ai këshillon qytetarët se para se të shkojnë në shtrat të mbajnë te koka një bilbil dhe një shishe plastike me ujë, në mënyrë që të kontrollojnë sa më shpejt “sjelljen” e ndërtesës dhe të veprojnë më pas për tu mbrojtur.
Numri i vdekjeve në Turqi është rritur në 18,342, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve në 21,719, një numër që pritet të rritet.
Sipas përditësimeve më të fundit nga Siria, 3,377 kanë vdekur atje, duke e çuar totalin në 21,719.
Përpjekjet vazhdojnë për të pestën ditë në kushte moti te ftohte për të shpëtuar ata që janë ende të bllokuar nën rrënoja.
Një përpjekje e madhe ndërkombëtare ndihmash po rritet. Të enjten, Banka Botërore premtoi 1.78 miliardë dollarë ndihmë për Turqinë, duke përfshirë financimin e menjëhershëm për rindërtimin e infrastrukturës bazë dhe mbështetjen e të prekurve nga tërmetet.
Shefi i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi se shtrirja e plotë e katastrofës ishte ende “duke u shpalosur para syve tanë”, veçanërisht në Siri, ku një luftë civile e gjatë ka shkatërruar vendin.
Të enjten, ndihma e parë humanitare e OKB-së kaloi kufirin në Sirinë veri-perëndimore përmes vendkalimit Bab al-Hawa të Idlib. Kalimi është e vetmja mënyrë që ndihma e OKB-së mund të arrijë në rajon pa udhëtuar nëpër zonat e kontrolluara nga forcat qeveritare siriane.
/e.d