Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri është paraqitur në SPAK. Burime bëjnë me dije se Gjiknuri është thërritur për të dëshmuar në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e abuzimeve të ndodhura gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Gjiknuri, në kohën kur ishte Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë kallëzoi në prokurori abuzimet e konstatuara nga raporti i auditit të kryer për zbatimin e këtij projekti dhe përgjegjësitë e ish-drejtuesve të ARRSH.
Gjiknuri urdhëroi auditin dhe dorëzoi kallëzimin në Dhjetor të vitit 2017. Ai po jep sot sërish shpjegime për këtë çështje pas pafajësisë që morën ish-zyrtarët e kallëzuar.
‘Isha për të dëshmuar për një nga abuzimet më të mëdha në rrugën Tiranë-Elbasan, që ishte kontraktuar për tu ndërtuar me një vlerë që nisi me 240 milionë euro dhe përfundoi me 400 milionë euro’- u shpreh Gjiknuri.
Kujtojmë se Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Transporteve, kallëzoi në prokurori, abuzimet financiare që ishin bërë nga ish-drejtuesit e ARRSH në rrugën Tiranë-Elbasan.
/a.r