Ka shkuar në mbi 21,000 numri i viktimave nga tërmetet shkatërrues që goditën Sirinë dhe Turqinë në fillim të kësaj jave.
Autoritetet turke konfirmojnë deri në këto momente 17,674 fatalitete ndërkohë që në Siri shifrat raportohet të kenë kaluar 3377, kjo edhe për shkak të informacionit të reduktuar nga zonat e kontrolluara prej rebelëve, të cilat kanë qenë edhe më të goditurat.
Aktualisht në Turqi, së bashku me mbrojtjen civile lokale, punojnë rreth 6500 shpëtimtarë nga 56 vende të botës dhe anëtarë të 16 organizatave ndërkombëtare.
Situata është edhe më komplekse në Siri, në një territor të ndarë midis pjesës së kontrolluar nga forcat e presidentit Bashar al Assad dhe atyre në duart e rebelëve.
Shpresa për të gjetur të mbijetuar zbehet nga ora në orë ndërkohë që regjistrohen ende mrekulli si ajo e fundit në Hatay, ku një 10 vjeçare u gjet gjallë pas 90 orësh nën rrënojat e një ndërtese të shembur.
Ndërkohë, ndihma për të mbijetuarit merr një formë më të strukturuar. Gati 30,000 njerëz janë evakuuar nga Kahramanmaras me autobus, tren dhe aeroplan drejt objekteve akomoduese në pjesë të ndryshme të Turqisë.
Dhe furnizimet e para në Siri janë zhbllokuar gjithashtu. Karvani i parë humanitar me simbolet e OKB-së kaloi përmes pikës kufitare Bab al-Hawa drejt zonave të kontrolluara nga rebelët, por polemikat për sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Damaskut në vitin 2011 nuk janë shuar.
/a.r