Bosi i Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro që u kap pas 30 vitesh në arrati ka qenë edhe në Shqipëri. Teksa shijonte lirinë, kreu i mafies siçiliane që merrej me trafik droge, vite më parë dërgoi një të deleguar ‘ambasador’ në Shqipëri, Luca Bellomo, bashkëshorti i mbesës së tij Lorenza.
Luca Bellomo arriti që t’i krijonte kontaktet dhe më pas Denaro udhëtoi vetë në Shqipëri për të takuar personalisht biznesmenë dhe personazhe të tjerë duke përfshirë përfaqësues të institucioneve, shkruajnë mediat italiane. Përveç se kujdesej për ecurinë e trafikut të drogës, Matteo Messina Denaro nuk i kursente vetes lojën në kazino në Mali i Zi.
Këto janë ato që kanë rezultuar pas hetimeve të fundit rreth të shkuarës së bosit të mafies siçiliane që përdorte identitete të ndryshme për të mos rënë në duart e policisë. Hetuesit kanë arritur të zbulojnë udhëtimet e tij të biznesit, por ende janë në kërkim të “thesarit” të kreut të Cosa Nostra-s.
Ai gëzonte një rrjet të sigurt në Campodello nga ku e menaxhonte trafikun e drogës dhe biznesin tjetër të basteve të paligjshme që i sillte shuma të mëdha parash por nuk ka ndalur udhëtimet teksa përdorte identitetin Andrea Bonafede.
Kujtojmë se kumbari i mafies siciliane ra në pranga më 16 janar. Kapja e tij është historike pasi policisë italiane iu deshën plot 30 vite për të rënë në gjurmët e tij. E veçanta e arrestimit të tij është se përkon me të njëjtën datë me kapjen e Toto Riinës, gjithashtu 3 dekada më parë. Matteo Messina Denaro, zëvendësuesi i Toto Riinës, autor i mijëra masakrave, u gjet në një klinikë private në Palermo, ku kurohej nga tumori.
/a.r