Rehabilitimi i hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i nyjes së re drejt aeroportit të Rinasit, po vijon me ritme shumë të kënaqshme. Në një intervistë për Klan News, Drejtori i Strategjisë dhe Politikave pranë BERZH, Christoph Denk nënvizoi se ky financim do të vijoje dhe me pjesen e hekurudhës deri në Malin e Zi.
“Në Shqipëri ne po punojmë për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin nga fillimi të hekurudhës për në Rinas. Projekti po ecën me ritme shumë të mira. Gjithashtu BERZH po studion edhe fazën e projektit sa i përket zgjatimit të linjës hekurudhore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi. Po punojmë ngushtësisht me Hekurudhën Shqiptare për të ofruar infrastrukturën dhe kapacitetet e duhura.”
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim gjithashtu do të ndihmojë me projekte edhe sa i përket sektorit të turizmit në vendin tonë.
“Për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit në Shqipëri, BERZH do të financojë projekte në këtë sektor dhe mbi të gjitha do të ndihmojmë në fuqizimin e kapaciteteve dhe stafeve të profesionistëve për hotelet, restorantet apo bujtinat. Duke marrë shkas nga kjo ne do të bëjmë të mundur ndërlidhjen e kompanive më të mira me qeverinë si dhe me trajnuesit e duhur për të garantuar implementimin e aftësive të duhura në sektorin e turizmit shqiptar.”
BERZH nënvizon se reformat dhe formalizimi i ekonomisë mbeten thelbësore.
“Shtytësit kryesorë të reformave në vend mbeten me rëndësi, sikurse duhet përfituar edhe nga procesi anëtarësimit në Bashkimin Evropian si një arsye më tepër për të ecur përpara me formalizimin e ekonomisë së vendit.”
Duke marrë shkas edhe nga goditjet që mori sektori energjetik në botë dhe në Shqipëri nga konflikti në Ukrainë, BERZH po mbështet me projekte edhe këtë sektor jetik.
/a.r