Po afrojnë ditë edhe më të vështira dhe vendimtare për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski, dhe ai nuk dëshiron të mbetet i papërgatitur përballë asaj që cilësohet si një valë e dytë të pushtimit rus, ku mendohet se do të marrin pjesë deri në 500 mijë ushtarë.
Presidenti ukrainas, i cili ka filluar turin e tij europian për të takuar edhe një herë liderët e vendeve NATO, e di mirë që opinioni publik që deri më tani e ka mbështetur është gjithmonë e më në ankth, dhe jo vetëm për luftën por edhe për skandalin e korrupsionit që ka përfshirë pikërisht në këtë moment delikat eksponentët e rëndësishëm qeveritar.
Ministri i Mbrojtjes Olekseii Reznikov u tërhoq nga posti delikat pas përfshirjes direkte në skandalin e tenderave për ushtarët në front, dhe mund të zëvendësohet nga Kyrilo Budanov, kreu i shërbimeve sekrete ushtarake.
Ky emërim do të ishte në linjë me atë të Ihor Klymenkos në ministrinë e Brendshme, i cili jo vetëm ka qenë kreu i policisë ukrainase por ka edhe një karrierë ushtarake.
Figura me eksperiencë lufte në vendet kyçe të ekzekutivit mendohet se mund t’i japin popullatës mesazhin se Kievi është i përgatitur edhe për furinë e sulmeve që priten të shtohen ndjeshëm tashmë dita ditës.
Sipas shërbimeve sekrete ukrainase, tashmë dhjetëra mijëra ushtarë rusë po grupohen në lindje të vendit, veçanërisht në Luhansk, nga ku analistët mendojnë se do të nisë faza e dytë e sulmit rus.
Se kur do të vijë “drita jeshile” nga Kremlini për gjeneralët në terren mbetet e paqartë, por gjasat janë që duke filluar nga 15 shkurti, përgatitjet do të kenë përfunduar dhe sulmi që Rusisë i duhet për t ë shmangur furnizimin e Ukrainës me armët dhe mjetet e NATO-s mund të jepet në çdo moment nga Vladimir Putin.
/a.r