Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti të cilët kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë në tre numra.
Deri më tani nuk raportohet për shqiptarë të lënduar apo vdekur në zonat e tërmetit në Turqi apo Siri.
Njoftimi i plotë:
Lidhur me situatën e rëndë të krijuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit në Turqi .
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti të cilët kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë në:
Tiranë: (+355) 696 773 168
Stamboll:(+90) 539 656 621 9
Ankara: (+90) 549 561 198 5
në dispozicion, në ndihmën tuaj / dhe në adresën e email-it: em*********@mf*.al. Në solidaritet me Turqinë dhe popullin e saj në këto ditë të vështira, MEPJ është në kontakt të vazhdueshëm me autoritet zyrtare turke dhe me familjet shqiptare që ndodhen në këto zona.
Turqia po përballet me një prej katastrofave më të mëdha natyrore të ndodhura ndonjëherë. Mbi 11 mijë persona është bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, pas tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit.
Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të tjerë nën rrënoja. Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.
Por, përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme. Në qytetin sirian të Xhindajrisit, një foshnje e sapolindur u nxor nga rrënojat.
Disa prej dëmeve më të mëdha janë regjistruar në provincën turke të Gaziantepit, ku qindra ndërtesa janë shembur dhe janë bllokuar rrugët, duke penguar përpjekjet e shpëtimit. Personat që i kanë mbijetuar tërmetit, shumica prej të cilëve nuk kanë këpucë e as rroba të ngrohta, po përballen me mbijetesë në temperatura të ulëta.
Në Siri, operacionet e shpëtimit janë ndërlikuar për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor dhe infrastruktura është shkatërruar nga lufta civile që po zgjat prej 12 vitesh. Dhjetëra shtete në mbarë botën kanë ofruar ndihmë emergjente humanitare, përfshirë dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të ndihmës./m.j