Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur ironikisht akuzave të opozitës se po përdor aplikacionin Aktivisti për t’i bërë presion administratës.
“Të dashur aktivistë të Partisë Socialiste, siç edhe ju’a kisha thënë, ja ku erdhi dita që i harruan patronazhistët dhe u turrën mbi aktivistët. Urime për pagëzimin tuaj në baltën e djajve, e cila është prova e relevancës në skenën e betejave politike dhe sociale në këtë vendin tonë të vogël e të bukur, por me zhurmaxhinj e ligësira që s’të ndahen.
Tani ju mund të ndjeheni realisht të vlerësuar si një forcë e re në fushëbetejë e në ndërkohën që patronazhistët e kalitur në përballje të shkuara, po përgatiten të hyjnë së shpejti në skenën e betejës së radhës, si një forcë e sprovuar më shumë se sa njëherë, ju jeni në sprovën tuaj të parë dhe ja urdhëro si erdhi puna, ende pa mbaruar nxemjen i keni shqetësuar shumë kundërshtarët tanë të dëshpëruar e të çoroditur.
Përgëzime. Tani futini një marsh tjetër jashtë programit, që ta shohin të paudhët se sa gabim bëjnë kur na e rrisin adrenalinën, duke na ngacmuar edhe kur s’kanë parë gjë akoma”, shkruan Rama ne Facebook.
/s.f